Shkarkimet brenda Ujësjellësit ‘Prishtina’ – flet Kryesuesi i ri i Bordit të Ndërmarrjes

Shkarkimet brenda Ujësjellësit ‘Prishtina’ – flet Kryesuesi i ri i Bordit të Ndërmarrjes

Mentor Hyseni, Kryesuesi i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi Prishtina”, ka arsyetuar shkarkimin e tre zyrtarëve kryesor të ndërmarrjes pasi që sipas gjetjeve që i ka bërë ka pas humbje të mëdha financiare.

Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Hyseni ka thënë se që nga vitit 2016, Kompania Ujësjellësi ka humbur rreth 800 mijë euro nga keq menaxhimi.

“Kemi qenë të detyruar t’i bëjmë këto shkarkime për shkak se ne si bord kur i kemi shqyrtuar raportet e auditorit të përgjithshëm dhe auditorit të brendshëm dhe nga të gjeturat nga këto dy organe, kemi pa se që nga viti 2016 ka pas humbje prej 800 mijë euro dhe për me pengu këtë ramje financiare kemi marr vendime me shkarkua. Gjendja financiare dhe teknike nuk ka qenë në nivel dhe për këtë është shkarkuar Ushtruesin e detyrës së Kryeshefit, zëvendës kryeshefin dhe drejtorin e financave”, ka thënë Hyesni për Insajderin.

Po ashtu, shefi i ri “Ujësjellësit Prishtina” ka thënë se ata kanë emëruar zyrtarët e rinj dhe kanë shpallur konkurs, derisa shton se ata kanë kërkuar që pas konkursit përzgjedhja e zyrtarëve të rinj të bëhet në prezencë të shoqërisë civile dhe ambasadës britanike

“Pas këtij shkarkimi ne kemi bërë emërimet e reja të ushtruesve të detyrës dhe dhe kemi bërë shpalljen e konkursit dhe në këtë konkurs kemi kërkuar që të jenë pjesëmarrës shoqëria edhe ambasada britanike”, ka thënë Hyseni.

Tre krerët e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina: Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Kapllan Parduzi, Zv/kryeshefi Ekzekutiv, Kujtim Xhelili dhe Zyrtari Kryesor Financiar, Sokol Duraku, janë shkarkuar nga detyra të martën.

Sokol Duraku, ish-Zyrtari Kryesor Financiar i KRU “Prishtina”, i shkarkuar sot nga Bordi i Përkohshëm i Ndërmarrjes, në një përgjigje për Insajderin ka thënë se për shkarkimin e tij është njoftuar sot.

“Po. Jam njoftuar sot [për shkarkimin]. Është vendim puro politik”, ka thënë ai. “Është shkelje e të gjitha ligjeve rregulloreve dhe procedurave”, ka thënë Duraku.

Anëtarët e rinj të bordit të KRU “Prishtina”, të emëruar të enjten, janë: Mentor Hyseni, kryesues dhe drejtor; Hajrie Morina, drejtore; Seat Bilbani, drejtor; dhe Idriz Maliqi, drejtor. /Insajderi.com