Shkarkohet sekretari i Presidencës së Kosovës

Shkarkohet sekretari i Presidencës së Kosovës

Driton Gashi është shkarkuar nga pozita e sekretarit në presidencë, raporton Insajderi.

Vendimin për shkarkim e mori Komisioni i themeluar me vendim të presidentes Vjosa Osmani, pasi një zyrtar i Agjencisë Kosovare së Inteligjencës dyshohet se “kishte tentuar të avullonte” disa “dokumente sekrete” në kasafortën e zyrës së presidentes.

Lirimin e Gashit nga detyra për Insajderi-n e konfirmoi këshilltari për media i presidences, Bekim Kupina.

“Komisioni i themeluar me vendim Ad hoc për nivelin e lartë drejtues, me vendim të u.d. Presidentes Osmani, më 20 janar 2021, në rastin diciplinor ndaj z.Driton Gashi, sekretar në zyrën e Presidencës, ka përmbyllur shqyrtimin e këtij rasti dhe ka vendosur unanimisht shqiptimin e masës diciplinore: largim nga shërbimi civil dhe e ka obliguar zyrën e Presidentes për zbatimin e këtij vendimi”, tha Kupina.

Vjosa Osmani si kryeparlamentare mori edhe detyrën e ushtrueses së presidentes, pasi Hashim Thaçi, më 5 nëntor dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Një ditë më vonë dyshohet se kishte ndodhur ngjarja ku “dokumentet sekrete”, po tentoheshin të largoheshin nga objekti i presidences. Vetë Osmani e kishte lajmëruar rastin në prokurori. /Insajderi.com