Shkelën të drejtat e ujgurëve, Qeveria miraton sanksionet kundër zyrtarëve kinezë

Shkelën të drejtat e ujgurëve, Qeveria miraton sanksionet kundër zyrtarëve kinezë

Është miratuar propozimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për zbatimin e sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian kundër zyrtarëve të lartë kinezë për shkelje të të drejtave të ujgurëve në provincën Xinjang.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se sugjerimi bazohet në shkelje të rënda të të drejtave etnike të minoriteteve etnike dhe religjioze në Xingjang, duke përfshirë ndalime masive dhe abuzime të rënda fizike kundër ujgurëve dhe pakicave tjera etnike dhe fetare në rajon.

“Si shprehje e shqetësimeve të thella nga Republika e Kosovës ndaj shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut në Xinjang, masat e rekomanduara ndër të tjera demonstrojnë angazhimin e Republikës së Kosovës për të kërkuar përgjegjësi ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut në botë”, ka thënë Gërvalla.

Ky vendim i Qeverisë parashikon ndalimin e udhëtimit në Republikën e Kosovës të katër zyrtarëve kinezë, si dhe bllokimin e pasurive të tyre në Kosovë.

Gërvalla shtoi se një vendim i tillë do ta forconte aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. /Insajderi.com