Shkelje në konkursin për kiosqe, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës vendos kundër komunës

Shkelje në konkursin për kiosqe, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës vendos kundër komunës

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i ka rekomanduar Komisionit Vlerësues të Ofertave për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme në Komunën e Prishtinës, t’i rishikojë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Njoftimin Publik për dhënien e pronave për periudhën 15-vjeçare.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës rekomandon Komisionin Vlerësues të Ofertave për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme në Komunën e Prishtinës, i caktuar me Vendimin 01-020/04-194122/18, të datës 08.08.2018 nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, të rishikoj kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Njoftimin Publik, të datës 15.06.2019, për Dhënien e Pronës së Palujtshme, në Shfrytëzim Afatshkurtër për Periudhën 15 vjeqare, për qoshqe”, thuhet në vendimin e AKK’së.

Ky institucion ka konstatuar se çdo kufizim ligjor apo faktik përmes kushteve dhe kritereve të caktuara për operatorët të cilët janë potencial për tu angazhuar në një veprimtari në një treg të caktuar nuk është e dëshirueshme, në zbatim të politikave të Konkurrencës.

“Komisioni i lartcekur në paragrafin (I) të këtij dispozitivi, duhet të ofrojë kushte të barabarta për transaksione të njëjta për operatorët ekonomik, duke i vendosur të njëjtët në gjendje të favorshme konkurruese përmes mekanizmave ligjorë”, theksohet në vendim.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës dy nga kushtet që duheshin plotësuar për të marrë në shfrytëzim një kioskë ishin që aplikuesi të ketë të hyra apo qarkullim prej 5 milionë eurosh ose më shumë në tri vitet e fundit dhe të ketë rrjet tregtar prej minimum 5 dyqaneve (marketeve) në Komunën e Prishtinës.

E pikërisht këto dy pika kishin ngjallur debate të shumta. Madje e tërë kjo situatë kishte çuar në anulim të konkursit.