Shkëmbimi i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë zgjidhje problematike

Gazeta franceze “Le Monde” ka publikuar dy tekste për shkëmbim të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, me interpretim se si do të dukej ndryshimi i kufijve.

Shkëmbimi i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë zgjidhje problematike

Monde vlerëson se mozaiku etnik, infrastrukturat kyçe dhe objektet kulturore janë pengesë për projektin e caktimit të sërishëm të kufijve.

E përditshmja parisiene pretendon se shkëmbimi i territoreve e bazuar në kritere të pastra etnike brengosë, dhe se në debatin eventual për ndryshimin e kufijve në mes dyja palëve ndeshen në mes veti etika dhe pragmatizmi.

Gazeta transmeton edhe sqarimin e gjeografit francez Michelle Foucher, i cili thotë se nuk duhet përzier pacenueshmërinë dhe paprekshmërinë e kufirit.

“Kufijtë janë të pacenueshme nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, gjegjësisht nuk mund të vihen në pikëpyetje me dhunë, por nuk janë të paprekshme: mund të ndryshojnë nëse dyja palët arrijnë marrëveshje”, thotë Foucher.

Ky parim, i pranuar në vitin 1975 në konferencën e Helsinkit në mes të ish BRSS dhe Perëndimit, dhe e prezantuar në mënyrë ceremoniale në vitin 1990 me Kartën e Parisit, e ka mundësuar bashkimin e Gjermanisë pas rënies së murit të Berlinit, transmeton Insjaderi.com.

“Në mes të viteve 1989 dhe 1992, në Evropë, duke përfshirë Ukrainën dhe Bjellorusinë, janë caktuar 22 kufij të reja me gjatësi prej 11.149 kilometra”, pretendon Foucher.

Gazeta përmend se në rast të shkëmbimit të territoreve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, për herë të parë do të bëhej fjalë për kufijtë e reja të vizatuara në baza etnike, e jo më në vijat e mëhershme administrative të republikave dhe krahinave të ish Jugosllavisë.

Kjo risi, konstatohet në analizë, në rajon në të cilin çështja etnike ende mbetet shumë e gjallë, ka ngjallur te shumica e vëzhguesve kujdes të posaçëm.

Në tekstin e dytë, “Le Monde” pretendon se projekti i konfirmimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor është prezantuar si zgjidhje për stabilitet pas 20 vjetëve të konflikteve të ngrira, por thekson se banorët e zonave relevante frikohen nga spastrimi i sërishëm etnik.

Gazeta parisiene, në llogarinë e saj në Twitter e ka publikuar hartën e Kosovës, afër të cilit qëndron mbishkrimi: “Në mes të Kosovës dhe Serbisë, mozaiku etnik, infrastrukturat kyçe dhe objektet kulturore paraqesin pengesë për projektin e caktimit të sërishëm të kufijve”.

Në hartë është paraqitur se si do të dukej kufiri i ri në mes të Kosovës dhe Serbisë ku pjesa veriore e Kosovës, me komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovica veriore, do t’i takonin Serbisë, derisa Kosovës do t’i takonin territori i komunës së Medvegjës dhe Lugina e Preshevës, e banuar me popullatën me shumicë shqiptare, por të cilat janë në kuadër të Serbisë.

Në hartë janë paraqitur katër komuna në veri të Kosovës, për të cilat pretendohet se janë me shumicë serbe, se janë jashtë kontrollit dhe janë pre e grupeve mafioze. Gjithashtu pretendohet se banorët e veriut të Kosovës nuk paguajnë tatim e as faturat e rrymës, si dhe në referendumin ilegal të organizuar në vitin 2012, 99,7 për qind të popullatës janë deklaruar se nuk e pranojnë legjitimitetin e pushtetit të Prishtinës.

Mitrovica është përshkruar si qytet-simbol i ndarjeve etnike, ndërsa liqeni në Ujman si kyç për furnizimin e Kosovës me ujë, dhe theksohet se pronësia e tij është kontestuese dhe se ai gjendet në kufi me Serbinë.

Janë paraqitur edhe dy termocentrale, ftohja e të cilëve varet nga liqeni i Ujmanit. Është paraqitur edhe miniera e Trepçës, për të cilën, gazeta franceze shkruan se Beogradi ka pretendime ndaj saj, dhe se për momentin me minierë menaxhojnë dy etnitete të ndryshme, shqiptarët e Kosovës dhe serbët.

Për Medvegjën, “Le Monde” pretendon se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kërkon t’i bashkojë Kosovës këtë komunë, por se shumica e banorëve shqiptarë të Medvegjës tashmë e kanë braktisur atë.

“Monde” pretendon se në territorin e Serbisë, Lugina e Preshevës po e sfidon pushtetin qendror. Prizreni është paraqitur si i rëndësishëm për Kishën Ortodokse Serbe, dhe përkujtojnë se serbët e konsiderojnë Kosovën “djep i kombit dhe fesë së tyre”./Insajderi.com.