Shkodra mahnit me turizëm, mbi 560 mijë vizitorë për këtë vit

Shkodra mahnit me turizëm, mbi 560 mijë vizitorë për këtë vit

Mbi 560 mijë turistë kanë vizituar këtë vit qytetin e Shkodrës. Të dhënat janë publikuar nga Administrata e zonave të Mbrojtura që menaxhon territorin natyrorë të këtij qarku.

Drejtori i kësaj administrate, Agim Dardha, deklaron se “rreth 560 500 turistë kanë vizituar qendrat tona të turizmit natyrorë, historikë dhe të aventurës për këtë vit”.

“Janë gati 35% më shumë vizitorë se vitin e shkuar”, thotë për ATSH Drejtori i AdZM-së për qarkun Shkodër, Agim Dardha.

Shkodra vërtetë është një qytet që  të emocionon falës historisë, bëmave të tij në shekuj, kulturës, emrave të përveçëm që lanë gjurmët e tyre në historinë e qytetit, pozita gjeografike, etj. Ai ndodhej në rrugëkalimin e tre kulturave të fuqishme, asaj perëndimore me forcë gravitacionale Venedikun, sllavët në veri me perandorinë e tyre shkatërruese për popujt e Ballkanit dhe ajo bizantine e konvertuar më vonë në atë Osmane që sundoi deri vonë.

Edhe sot i ndesh këto kultura në qytetarinë shkodrane. I sheh ato në arkitekturë, i gjen në etnografi, në kulturën popullore,në zhargonin gjuhësor, mbetje fjalësh nga gjuhë të vjetra pushtuesish, të copëtuara rrugëve të pushtimit të kahershëm. Mbase kjo është një tjetër veçori  intriguese e këtij qyteti.

Por, Shkodra rrethohet nga një peizazh natyror tepër atraktiv për t’u vizituar.

Shkodra është qendra administrative dhe ekonomike e veriut të vendit dhe si e tillë ajo ofron edhe mundësitë më të mëdha për turizmin sezonal apo gjithëvjetor.

I vetmi qytet në Shqipëri që ka “rreth vedi” detin, liqenin, lumin, natyrën e egër, turizmin bregdetar, liqenor, historik e kulturor.

Mund të gjesh gjithçka në këtë vend, që pa u futur në të në plazhin e Velipojës, veriu i detit Adriatik, në liqenin e Shkodrës, lumin e Bunës, kalanë e famshme të Rozafës, Thethin – perlë e Alpeve shqiptare dhe shumë vende të tjera.

Po të ndjekësh rrjedhën e Bunës në të dy krahët e saj  gjelbërimi i verës është përflakur nga e kuqrremta vjeshtore, që të shoqërojnë deri në derdhjen e saj në detin Adriatik.