Marrëveshja e nënshkruar mes Drejtorisë Komunale të Arsimit, Shkollës së Mesme profesionale ekonomike “Ali Hadri” dhe Organizatës Joqeveritare “Syri i Vizionit” nga Peja ka hapur rrugën e realizimit të projektit për funksionalizimin e kabinetit për hoteleri dhe turizëm brenda shkollës “Ali Hadri”.
Me këtë projekt të përkrahur nga programi SEED, që zbatohet nga OJQ “Syri i Vizionit”, në mbështetje të Agjencisë Austriake për Zhvillim – ADA, do t’u mundësohet nxënësve të drejtimit hoteleri dhe turizëm që praktikën profesionale ta ushtrojnë brenda shkollës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Arif Ademaj, drejtor i shkollës së mesme ekonomike “Ali Hadri”, ka thënë se idenë për ndërtimin e kabinetit hotelier brenda në shkollë e kanë sjellë mësimdhënësit e kësaj shkolle, pas një udhëtimi dhe vizite studimore jashtë vendit.
“Një grup i mësimdhënësve tonë kanë qenë në Austri në një trajnim, dhe atje kanë parë se si funksionon praktika profesionale e drejtimit hotelieri dhe turizëm brenda në shkolla”, tregon Arifaj, nga ku e kanë importuar idenë mësimdhënësit e kësaj shkolle. Për këtë kabinet është caktuar edhe hapësira, kurse rregullimin e saj e ka marrë përsipër Drejtoria e Arsimit, derisa pajisjet për kabinet do të dhurohen nga donatori.
“Pasi të funksionalizohet, ky kabinet do të jetë shumë i dobishëm për nxënësit, sepse bëhet ndërlidhja e mësimit teorik me atë praktik në shkollë. E këtë praktikë që do ta mësojnë në kabinet, e vazhdojnë pastaj edhe në disa biznese hoteliere”, thotë Arifaj.