
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë se shkolla e oficerëve do të emërohet me emrin e gjeneralit amerikan Wesley Clark, njofton Insajderi.
Këtë Mehaj e bëri të ditur në konferencën e mbajtur pas takimit me Komandantin e trupave të NATO-s gjatë bombardimeve në vitin 1999, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Mehaj ka thënë se e ka informuar gjeneralin Wesley Clark me të arriturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK e që sipas tij, primare është integrimi në NATO dhe dërgimin e trupave jashtë vendit.
“Kisha nderin të ndaj me gjeneralin planet e qeverisë së Kosovës për ministrinë dhe FSK-në. Sot për nder të gjeneralit do të emërojë shkollën tonë të oficerëve, qendrën e studimeve me emrin Wesley Clark. Kjo është më ë pakta që mund të bëjmë në nder të tij”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, Clark ka thënë se është i impresionuar me demokracinë gjatë këtyre viteve në Kosovë.
“Jam i nderuar të jem këtu e të kthehem përsëri në Kosovë. Jam i impresionuar me demokracinë e lirinë në Kosovë përgjatë gjithë këtyre viteve”, ka thënë ai. /Insajderi.com