Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Faik Konica” në Prishtinë nga sot (e hënë) do të kalojë në mësim online (skenari C), përcjell Insajderi.
Ky vendim është marrë nga drejtoria e shkollës për shkak se pesë mësimdhënës dhe një punëtor teknik kanë rezultuar pozitivë me Coronavirus.
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të shkollës në Facebook.
Në njoftim bëhet e ditur se task-forca e shkollës ka hartuar planin për vijimin e mësimit online përgjatë dy javëve si vijon:
- Klasat VI, VII, VIII, IX do të fillojnë mësimin online të dyja grupet A dhe B njëherësh në platformën e-Shkollori dhe Zoom duke filluar nga ora 8:30 sipas orarit javor;
- Klasat e I, II, III, IV, V fillojnë mësimin online në platformën E-Shkollori dhe Zoom, me kyçje në orën 12:30.
- Klasat parafillorë do të kenë kyçje online sipas platformës online në MASH gjithnjë në përcjellje të mësueseve dhe me mbikëqyrjeve të prindërve;
- Rekomandohet që të gjithë nxënësit të ndjekin e E-mësimit përmes kanalit të RTK 4;
“I gjithë procesi i mësimdhënies dhe mësimnxënies do të përcillet përmes e-Shkollorit dhe takimeve virtuale me mësimdhënës e në bashkëpunim me prindërit. Gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit janë të obliguar që të vijojnë procesin mësimor në mënyrën online”, thuhet në njoftimin e shkollës.
Po ashtu “luten prindërit që të ndihmojnë fëmijët me kyçje dhe të përkrahin mësimdhënësit në realizimin e procesit në Skenarin C”./Insajderi.com