Shkolla Verore mbi Drejtësinë Tranzicionale afroi 19 pjesëmarrës të nacionaliteteve në Kosovë

Shkolla Verore mbi Drejtësinë Tranzicionale afroi 19 pjesëmarrës të nacionaliteteve në Kosovë

Që nga data 5 e deri më 9 gusht, në qytetin e Prizrenit u mbajt Shkolla Verore mbi Drejtësinë Tranzicionale. Plotë 19 të rijnë (student), të nacionaliteteve që jetojnë në Kosovë, u bënë pjesë e kësaj shkolle që erdhi nën organizimin e Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë.

Shkolla Verore mbi Drejtësinë Tranzicionale, u mundësoi studentëve që të njihen më shumë me temat lidhur me instrumentet dhe ballafaqimin me të kaluarën, respektivisht me shtyllat e drejtësisë tranzicionale si: gjykimet për krime lufte, komisionet e së vërtetës, reparacionet dhe reformat institucionale.

Të gjithë pjesëmarrësve iu mundësua nga kjo shkollë që të mësojnë më shumë rreth Drejtësisë Tranzicionale, ku fillimisht u shtjelluar shtylla e të drejtës për drejtësi në të cilën ligjëruesit ishin nga Kosova dhe Serbia. Aty është diskutuar më detaisht për gjykimet e krimeve të luftës në Kosovës si dhe në Serbi, për dhomat e specializuara dhe gjithashtu edhe për Tribunalin e Hagës dhe punën që ai e ka bërë më herët për krimet në Kosovë.

Po ashtu është trajtuar edhe tema e Drejta për të Ditur, gjithashtu në këtë temë studentët kanë mësuar më shumë për komisionet e së vërtetës dhe pse janë të nevojshme të kuptohen dhe të dihet se çka ka ndodhur. Përveç kësaj pjesë e rëndësishme ishte edhe tema e reparacioneve ose dëmshpërblimeve, ku kanë  folur për dëmshpërblimet materiale dhe ato simbolike.

Ligjëratat nga departamenti i shpërndarjes së pensioneve për invaliditet e luftës kanë qartësuar më shumë për studentët se kush përfiton nga ky ligj dhe si, e Mehmet Musaj, Kordinator i Përgjithshëm në  QKRMT (KRCT) ka folur për temën “Trajtimi i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës”. Në kuadër të kësaj një ditë e tërë nga pesë ditët e rezervuara për Shkollën Verore mbi Drejtësinë Tranzicionale ishte edhe dita në terën. Këtë ditë, studentët bashkë me organizatorët kanë dalë në teren ku kanë shkuar në dy vende ku kanë ndodhur vrasjet masive. Aty, ata kanë pasur mundësi të bashkëbisedojnë edhe me të mbijetuarit e atyre masakrave.

E krejt në fund është trajtuar tema e reformave institucionale ku nëpërmjet ligjëratave studentët janë njoftuar se si është ndërruar korniza ligjore dhe janë adaptuar konventat ndërkombëtare pas konfliktit.

Për krejt këto ligjërata dhe punë në teren, ka folur edhe Dea Dedi nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, e cila tha se studentët e kanë mirëpritur këtë Shkollë Verore, dhe që ishte një mundësi e mirë që të mësohet më shumë e vërteta rreth konfliktit apo luftës që ka ndodhur në Kosovë. Pjesë e kësaj shkollë ishin edhe student të nacionalitetit serbë.

““Në Shkollë ka pasur edhe studentë serbë, të gjithë këta e kanë pasur një ide se çfarë ka ndodhur gjatë luftës, mirëpo kjo shkollë ishte pjesë e informimit më të detajuar në lidhje me çfarë ka ndodhur në Kosovë. Me duket se gjithçka që është mësuar është pritur mirë nga të gjithë studentët nga të gjitha nacionalitetet”, Dea Dedi.

Ndërsa, studentët u shprehën të nderuara që ishin përzgjedhur në mesin e 150 aplikues sa ishin gjithsej.

“Shkolla ka qenë me një diskutim interaktiv dhe na ka mundësuar që ne si pjesëmarrës të angazhohemi me idetë tona për Drejtësinë Tranzicionale, veçanërisht për reparacionet që është një temë shumë e rëndësishme për viktima. Grupi ka qenë një nga grupet më aktive që e kam parë deri tash, ka ndodhë e kemi tejkaluar edhe orarin e diskutimit dhe kjo na ka ndihmuar shumë. Kjo është hera e parë që marr pjesë në një shkollë për Drejtësinë Tranzicionale”, është shprehur studenti Refik Tupella-student.

Ndërsa studentja Edolinda Krasniqi ka thënë se është shumë mirë për ta që kanë qenë pjesë e kësaj shkolle duke pasur parasysh që sipas saj, drejtësia tranzicionale është një temë mjaft aktuale kohëve të fundit.

“Na mungojnë njohuritë e thella rreth kësaj çështje. Është mundësi e mirë për ne që të njihemi dhe ta dimë se çfarë po ndodhë. Ka qenë shumë ndihmesë sepse shumë çështje nuk i kemi njohur aq thellë dhe nuk i kemi ditur”, ka pohuar Krasniqi.

Në fund, si aktivitete shtesë, studentët janë njohur më afër me punën e FDH Kosovë, Qendra e Dokumentimit Kosovë dhe kanë pasur mundësi t’i shkëmbejnë mendimet me ekspertë ndërkombëtarë dhe rajonal të drejtësisë tranzicionale. Krejt kjo është përmbyllur me ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit.

Shkolla Verore mbi Drejtësinë Tranzicionale u organizua nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ndërsa përkrahet nga Bashkimi Evropian – në kuadër të projektit nga Koalicionit Kosovar për Pajtim.