Shkon epidemiologu, vjen mikrobiologu: Kush janë anëtarët e ri të Bordit Drejtues të SHSKUK-së?

Shkon epidemiologu, vjen mikrobiologu: Kush janë anëtarët e ri të Bordit Drejtues të SHSKUK-së?

Qeveria e Albin Kurtit ka shkarkuar Bordin Drejtues të SHSKUK-së i cili ka qenë i kryesuar nga Naser Ramadani, epidemiolog dhe drejtor i Institutit Kombëtar, ndërsa ka emëruar Bordin e ri të kryesuar nga mikrobiologu dhe shefi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare Dr. Xhevat Jakupi.

Qeveria e ka arsyetuar shkarkimin me mospërmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive që dalin nga Statuti i SHSKUK-së. “Qeveria në detyrë ka aprovuar vendimin për shkarkimin e Bordit Drejtues të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës për arsye se nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e rëndësishme të përcaktuara me Statutin e SHSKUK-së dhe ka dështuar në arritjen e objektivave”, thuhet në njoftimin e MSH-së, shkruan Gazeta Shneta.

Gazeta edhe më parë ka raportuar se si kryesuesi Naser Ramadani nuk e kishte lëshuar karrigen e të parit të Bordit për më shumë se 1 vit, derisa me Statut kërkohet që kjo pozitë të ndërrohet me rotacion brenda anëtarëve të Bordit çdo 1 vit. Poashtu ky Bord nuk e kishte emëruar një anëtar nga Spitalet rajonale, pasi anëtarit nga Spitali i Prizrenit i kishte skaduar mandati 6 mujor. Së fundmi Bordi ka qenë edhe pa kuorum pasi kishte mbetur me vetëm 4 anëtarë.

Por tanimë Bordi me anëtarët e ri do të funksionalizohet nga e hëna pas vendimit të Qeverisë për emërimin e 6 anëtarëve, dhe i shtati pritet të përzgjedhet me konkurs publik.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka emëruar në Bord Dr. Agreta Gecaj-Gashi, anesteziologe/intensiviste në Klinikën e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv në QKUK; Dr. Aida Rexhepi, Specialiste e Pedodoncisë dhe Stomatologjisë Preventive; Dr. Xhevat Jakupi, mikrobiolog, shef i Laboratori të Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Jakupi është emëruar në pozitën e kryesuesit;

Dr. Diana Dafota nga Spitali i Gjakovës, do të mbajë pozitën e përfaqësueses nga spitalet rajonale. Dr. Sadete Hadri – Shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor; Dr. Mirsad Shkreta, stomatolog, përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë; dhe anëtari i shtatë sipas njoftimit të MSH-së do të jetë një ekspert i menaxhmentit shëndetësor, i zgjedhur në bazë të konkursit publik.