Ka arritur në 13 numri i personave të lënduar si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në afërsi të lagjes “Marigona” në rrugën Prishtinë-Ferizaj, njofton Insajderi.
Kështu është bërë e ditur nga zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, i cili tha se të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.
“Nga kjo shifër, tre persona kanë marrë lëndime në kokë, një lëndim në dorë, 7 djegie të fytyrës dhe duarve, një lëndim shpine, një lëndim të gishtërinjve e të tjerë”, ka thënë ai.
Ndryshe lidhur me këtë nga Policia e Kosovës njoftuan se zjarrfikësit dhe njësitë policore janë duke u marrë me rastin në fjalë.
“Sot rreth orës 12:00 brenda një objekti në rrugën Prishtinë –Ferizaj, ka ndodhur një shpërthim( dyshohet bombol gazi). Bazuar në të dhënat e deritanishme dyshohet se në këtë rast janë lënduar 12 persona, të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Prishtinë”, ka thënë për Insajderi-n zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit si dhe të gjitha njësitë e nevojshme policore për ekzaminimin e vendit të ngjarjes të cilët aktualisht po punojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat të cilat kanë të bëjnë me rastin”, ka thënë tutje ajo. /Insajderi.com