Shkroi se Albin Kurti mund të vritet, Haxhi Hoti dënohet me 6 muaj burgim me kusht

Shkroi se Albin Kurti mund të vritet, Haxhi Hoti dënohet me 6 muaj burgim me kusht

Ish-kandidati për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti, është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht pasi që ka kryer veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, përcjell Insajderi.com.

Ai akuzohet se përmes një shkrimi të publikuar në rrjerin social “Facebook”, kishte shkruar se kryeministri, Albin Kurti, “ka dy rrugë, ose të lëshojë Kosovën ose mund të vritet”, raporton Betimi për Drejtësi.

Foto gjatë seancës ndaj Haxhi Hotit.

Kryetarja e trupit gjykues, Alltëne Murseli, tha se dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.

Kurse, i dënuari, Haxhi Hoti, nuk ishte i pranishëm në sallë gjatë shpalljes së aktgjykimit ndaj tij.

Ndryshe, Hoti po akuzohej nga Prokuroria se përmes një shkrimi në Facebook, në dhjetor të 2019-ës, ku thonte se “Albin Kurti ka dy rrugë, ose ta lëshojë Kosovën osë të vritet”, ka kryer veprën penale “shtytje në vrasje”.

Ndërkaq, i akuzuari, në seancën fillestare që ishte mbajtur më 7 shkurt 2020, ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Hoti me këto veprime u ka shkaktuar shqetësim të madh përdoruesve të rrjetit social “Facebook” në Kosovë dhe gjithandej botës./Insajderi.com