Shkuarja në Haxh, për këtë vit shoqërohet me rregulla shtesë, për shkak të pandemisë. Masak bëhet obligative.
Pelegrinët myslimanë në Haxhin e këtij viti duhet të mbajnë maska në fytyrë tërë kohës, njoftuan sot autoritetet saudite, ndërsa punonjësit do të sigurohen që të mos ketë mbingarkesë ose tubime gjatë pelegrinazhit, që, në kohë normale, mbledh së bashku më shumë se dy milionë njerëz, njofton Insajderi.
Arabia Saudite ka ulur në mënyrë drastike pelegrinazhin këtë vit, në mes të pandemisë së koronavirusit, duke thënë se vetëm ata mijëra që tashmë jetojnë brenda mbretërisë mund të kryejnë Haxhin, që do të fillojë në fund të korrikut.
Arabia Saudite i ka ndaluar këtë vit pelegrinët nga jashtë mbretërisë në një përpjekje për të kufizuar përhapjen e COVID-19.
Edhe pse prej disa javësh mbretëria e ka hequr shtetrrethimin e rreptë dhe shumicën e kufizimeve të vendosura, fluturimet ndërkombëtare mbeten ende të pezulluara.
Mbretëria ka numrin më të madh të rasteve të konfirmuara të COVID-19 në botën arabe, me më shumë se 213.000 infeksione dhe më shumë se 1.900 viktima. /Insajderi.com