“Dy kandidatë të afërt me PDK-në” – Shoqëria civile kërkon anulimin e përzgjedhjes së Komisionerit për Privatësi

“Dy kandidatë të afërt me PDK-në” – Shoqëria civile kërkon anulimin e përzgjedhjes së Komisionerit për Privatësi

Organizatat e  shoqërisë civile kanë kërkuar anulimin e përzgjedhjes së Komisionerit për Informim dhe Privatësi, pasi dyshojnë se dy prej 11 kandidatëve, janë të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës.

“Kundërshtojmë në veçanti kandidaturën e punëtorëve aktualë të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Bujar Sadiku dhe Jeton Arifi, për shkak të dyshimeve se janë të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës, nën menaxhimin e tyre auditori ka gjetur shkelje të vazhdueshme në Agjencion dhe të dytë kanë ndikuar që në këtë agjencion të punësojnë familjarë të tyre”.

Madje shoqëria civile përmes kësaj komunikate thotë se këta dy kandidatë janë favorizuar gjatë intervistimit.

“Gjatë vlerësimit të intervistave, Bujar Sadiku dhe Jeton Arifi janë favorizuar hapur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Fadil Beka. Pa u sqaruar dyshimet e lartpërmendura, asnjëri nga këta dy kandidatë nuk duhet të bëhet Komisioner”, thuhet në komunikatë.

Shtatë organizatat Lëvizja Fol, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Instituti Gap, GLPS, Çohu, Instituti D4D, KDI dhe Flutura Kusari përmes një komunikate për media e kanë kundërshtuar emërimin e kandidatëve në garë pasi konsiderojnë se kandidatëve iu mungon vizioni, strategjia dhe përgatitja e duhur për këtë pozitë.

Sipas shoqërisë civile përgjegjësisë për numrin e vogël të kandidatëve për komisioner e mban administrata e Kuvendit të Kosovës “e cila e ka reklamuar konkursin vetëm në mediat Epoka e Re, Bota Pres dhe RTK (kanali serb)”.

OJQ-të kërkuan nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës anulimin e këtij procesi dhe rishpalljen e menjëhershme të konkursit që të mos rrezikohen fondet e Bashkimit Evropian të dedikuara për Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

“Komisioneri është pozitë publike jashtëzakonisht e rëndësishme në fushën e të drejtës së informimit pasi që ajo ose ai do të vendosë se cilat informacione të institucioneve mund të bëhen publike. Pa një Komisioner profesional, të paanshëm dhe me integritet të lartë, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat nuk do të mund të shërbejnë si mbikëqyrës shoqërorë”, thuhet më tej në komunikatë.