Shpallen të pafajshëm të akuzuarit në rastin e arratisjes së Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK

Shpallen të pafajshëm të akuzuarit në rastin e arratisjes së Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të pafajshëm  Emrush Thaqi dhe Nexhib Shatri lidhur me akuzën për arratisjen nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) e tre të paraburgosurve, Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, që si pacientë ishin duke u trajtuar aty.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të hënën nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Agim Kuçi.

Sipas aktgjykimit, Thaqi dhe Shatri lirohen nga akuza në mungesë të provave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sami Lushtaku

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun, por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera që kishin ndodhur më 21 gusht 2015 dhe më 22 shtator 2015.

Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza./Insajderi.com