Shpallet aktgjykimi për të akuzuarit për grusht shtet në Mal të Zi

Gjykata e Lartë në Podgoricë, shpalli fajtorë dhe i dënoi me gjithsej 69 vjet e shtatë muaj burgim, 14 persona të akuzuar për tentim grusht shteti në prag të zgjedhjeve parlamentare në tetor 2016, në Mal të Zi.

Shpallet aktgjykimi për të akuzuarit për grusht shtet në Mal të Zi

Dy shtetas rusë, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, u dënuan në mungesë me 15, përkatësisht 12 vjet burgim. Ish shefi i xhandarmërisë serbe, Bratislav Dikiq u dënua me tetë vjet, Predrag Bogiqeviq me 7 vjet, Nemanja Ristiq me 5 vjet burgim, ndërsa dy udhëheqësit e opozitës Andrija Mandiq dhe Milan Knezheviq me nga 5 vjet burgim.

Trupi gjykues i drejtuar nga Suzana Mugosha, dënoi Branka Miliqin me tre vjet burgim, Dragan Maksiqin me një vit e 9 muaj, Milan Dushiqin dhe Mihailo Çagjenoviq u dënuan me nga një vit e 6 muaj dhe Kristina Hristiq u dënua me një vit burg me kusht.

Gjatë shpalljes së vendimit, kryetarja e trupit gjykues, Suzana Mugosha, tha se qëllimi i të akuzuarve ishte rrëzimi i dhunshëm i pushtetit në Mal të Zi.

Podgorica zyrtare ka akuzuar nacionalistët serbë dhe rusë për komplot për të pushtuar parlamentin gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm, Millo Gjukanoviq dhe për të vendosur një udhëheqje pro-ruse në Mal të Zi.

Dy rusët e dënuar në mungesë, sipas prokurorëve në Mal të Zi, janë oficerë të shërbimit ushtarak rus të zbulimit.

Mali i Zi u pavarësua në vitin 2006 dhe 11 vjet më pas u bë anëtari i 29-të i NATO-s, duke nxitur zemërimin e Moskës e cila kundërshton përfshirjen e Ballkanit në aleancën ushtarake perëndimore./Insajderi.com.