Shpallet fajtor shoferi i autobusit që shkaktoi aksidentin në Bullgari

Shpallet fajtor shoferi i autobusit që shkaktoi aksidentin në Bullgari

Është shpallur fajtor shoferi i autobusit që shkaktoi aksidentin e rëndë në Bullgari ku mbetën në vdekur 45 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.

Prokurori bullgar, Borislav Sarafov, ka thënë të martën për agjencinë e lajmeve BGNES, se përgjegjës për tragjedinë e rëndë është shoferi i autobusit të agjencisë “Besa Trans”, raporton REL.

“Shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi autobusin nga shoferi. Por, edhe shpejtësia e madhe dhe e papërshtatshme, mbi normat e lejuara”, ka deklaruar kreu i shërbimit hetimor kombëtar bullgar, Borislav Sarafov.

Ai ka thënë se tani vendimi duhet të ekzekutohet nga autoritetet gjyqësore në Maqedoninë e Veriut dhe të njoftohen familjarët e viktimave, pasi ata kanë të drejtë të kontrollojnë materialet.

Aksidenti ndodhi në orët e hershme të 23 nëntorit të vitit 2021, kur autobusi i agjencisë “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli, goditi një bankinë në autostradën Struma, pranë fshatit Bosnek, me ç’rast humbën jetën 45 persona, përfshirë edhe shoferin e autobusit, ndërsa shtatë të tjerë pësuan lëndime trupore.

Në mesin e viktimave ishin edhe 12 fëmijë, ndërsa shumica ishin familjarë që kishin udhëtuar në Stamboll të Turqisë për një vizitë treditore.

Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit, megjithatë hetimet janë duke vazhduar dhe sipas autoriteteve në Maqedoni, autobusi i aksidentuar nuk kishte leje për transport ndërkombëtar të udhëtarëve.

Dy doganierë janë suspenduar nga puna pasi kishin lejuar autobusin pa leje të kalonte kufirin, agjencisë së udhëtimit i është hequr leja e punës ndërsa drejtuesi i saj, tani pas raportit të hetuesisë bullgare mbi shkaqet e aksidentit, mund të përballet dhe me masa tjera./Insajderi.com