Është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në Komunën e Deçanit, pas situatës së krijuar me qindra banorë të infektuar, njofton Insajderi.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka bërë ditur se në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse të Statutit të Komunës së Deçanit, ka marrë vendim.
Me anë të këtij vendimi obligohen të gjitha institucionet e nivelit lokal për Ngritjen e Gatishmërisë për Menaxhimin e kësaj situate Emergjente e ndodhur pas helmimit të fundit.
Gjatë ditëve të fundit, rreth 900 banorë të rajonit të Deçanit kanë kërkuar trajtim mjekësor pas simptomave që dyshohet se u janë shkaktuar nga uji i pijes.
Deri më tani, bazuar në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Pejë, dy persona kanë vdekur nga kjo situatë, ndërsa mbi 20 të tjerë po trajtohen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan.
Kryetari i Komunës gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se ende nuk kanë dalë rezultatet e analizave biologjike që janë dërguar në Institutin e Shëndetit Publik në Pejë, por që dyshohet se ky helmim ishte i qëllimshëm. /Insajderi.com