Shpallet gjendje e Jashtëzakonshme në Preshevë

Shpallet gjendje e Jashtëzakonshme në Preshevë

Komuna e Preshevës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme përkundër se nuk ka shumë raste me Coronavirus, njofton Insajderi.

Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur sot, e hënë, dhe është bërë edhe njoftim zyrtar nga kryetari i Komunës në llogarinë e tij në Facebook, Shqipërim Arifi.

“Sot në mbledhjen e mbajtur të radhës së Shtabit Komunal për Situata të Jashtëzakonshme, pas një analize të thellë nga anëtarët e shtabit, merren këto konkluzione: Shtabi Komunal për S.J në Preshevë i propozon Kryetarit të Komunës shpalljen e Situatës së Jashtëzakonshme epidemiologjike – Covid 19 në tërë territorin e Komunës së Preshevës”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ky vendim përshinë edhe shkurtimin e orarin e punës për punëtorët e sektorit publik gjatë kohës së situatës së Jashtëzakonshme dhe lirim nga puna të punëtorëve mbi 60 vjeç, nënave me fëmijë të vegjël dhe punëtorëve me sëmundje kronike.

Gjithashtu vendimi obligon “ndalimin e punës së restoranteve, kafiterive dhe objekteve të gastronomisë prej ora 20:00 deri në ora 05:00, gjatë kohës së situatës së jashtëzakonshme”.

Ky vendim ka irrituar pronarët e lokaleve në Preshevë. Ata janë shprehur të zemëruar dhe  e kanë cilësuar vendimin si të gabuar.

“Të gjithë nesër do t’i dërgojmë tek zyra çelësat e lokaleve”, ka shkruar një pronar lokali në postimin lajmërues të Arifit në Facebook./Insajderi.com