Shpejtim Bulliqit nuk i kujtohet premtimi që dha gjatë fushatës – “jo more s’kom thonë” (VIDEO)

Shpejtim Bulliqit nuk i kujtohet premtimi që dha gjatë fushatës – “jo more s’kom thonë” (VIDEO)

Shpejtim Bulliqi edhe po të donte ta realizonte një nga premtimet e tij të fushatës do ta kishte teknikisht të pamundur, sepse as nuk i kujtohet më.

Krenarisht, në fushatë zgjedhore, në një paraqitje te emisioni i gazetares Jeta Xharra “Debat Pernime”, ai deklaronte se në mandatin e tij të ri si kryetar komune 50 për qind të kabineti do ta kishte të përbërë nga gratë.

“Unë tashmë e kam dhënë një shembull të mirë. Për herë të parë Podujeva ka startuar me katër (drejtore) madje edhe me nënkryetaren e komunës”, pati deklaruar Bulliqi.

“Do të vazhdojmë me katër gjithsesi, por synoj që të shkojmë ka 50 për qindëshi. Këto janë pretendimet, këto janë synimet dhe kam besimin e plotë që kemi me pas këtë situatë”.

Bulliqi jo që nuk ka vazhduar të rris numrin e drejtoreve gra, por e ka ulur atë. Nga katër sa ishin, tash janë veç dy – Antoneta Ejupi, drejtore e Administratës dhe Bahrie Shatrolli-Mehmeti, drejtore për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi.

I pyetur nga Shqip.com, ai kishte harruar fare premtimin e tij.

Madje, ishte i sigurt se s’e kishte bërë kurrë një të tillë. “Unë jam i vetëdijshëm çka flas”, tha Bulliqi, duke sfiduar redaksinë që t’i sjellë fakte.

“Kush ka thënë 50 për qind? Ja more, a e ki dëshmi a veç pe qet’ qashtu? Hajt a mundesh me ma dëshmu atë që kam thonë 50 për qind. Unë jam i vetëdijshëm çka flas. Ma siguro qatë dëshmi pastaj flasim”.

Dëshmia sigurohet fare lehtësisht, me një klikim ne kanalin e Kallxo.com në Youtube, ku është edhe i ngarkuar emisioni me Bulliqin premtues për implementimin e barazisë gjinore në Komunën e tij. Data është 28 shtator, 2021.

Bulliqi është telefonuar prapë që t’i prezantohet dëshmia e kërkuar, por ka refuzuar të lajmërohet në telefon edhe pas disa tentimesh.

Megjithatë, ai mund të jetë i vetmi që s’i kujtohet çfarë ka premtuar në fushatë, por për mos-realizim të premtimeve qëndron mes shokësh.

Njëjtë si ai, edhe kandidatët tjerë që fituan për kryetarë komunash e premtuan 50 për qind gra në drejtori, nuk i realizuan premtimet.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, gjatë elektoratit të Zgjedhjeve Lokale të cilat janë mbajtur me 17 tetor 2021, pati deklaruar se në komunën e tij do të jenë 50 për qind gra, por pasi që e fitoi Ferizajn pa balotazh i ka emëruar vetëm dy gra nga 11 drejtori sa janë në këtë komune.

Jo 50, por 45 për qind gra në drejtori kishte premtuar edhe Gazmend Muhaxhiri. Edhe ai, njëjtë si Aliu e Bulliqi është larg realizimit të premtimit. Nga 14 drejtori, veç katër janë drejtore.

Premtim, jo me përqindje, por me numra konkret kishte bërë Ardian Gjini i Gjakovës. “Pesë, gjashtë ose shtatë”, do jenë drejtore nga gjithsejtë 12 drejtori ishte deklarimi elektoral i Gjinit.

Edhe ai ndryshoi fjalët – ose numrat – meqë ka emëruar vetëm tri gra si udhëheqëse drejtorish.

Fjalën s’e ka mbajtur as Bedri Hamza, kryetar i Mitrovicës, i cili duke mos dhënë përqindje pati deklaruar se patjetër se do emërojë më shumë se sa ishin nën udhëheqjen e Agim Bahtirit, por edhe ai, njëjtë si paraardhësi përfundoi me vetëm tri drejtore gra.

Shaqir Totaj, përkundër se premtim-thyes, sepse edhe ky kishte deklaruar 50 për qind gra në drejtori, prapë qëndron më mirë se kolegët e tij, pasi pesë nga 13 drejtori udhëhiqen nga gratë.

Për Luljeta Demollin nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, padrejtësia në raport me mos-emrin e grave si drejtore komunale është e dyfishtë. Përfaqësimi i barabartë është i përcaktuar me ligj dhe përtej kësaj, gratë angazhohen jashtëzakonisht shumë në fushata zgjedhore, dekoroi ajo për Shqip.com.

“Pas zgjedhjeve pozita pastaj qysh po ndahen nuk po janë konfomë premtimeve qysh na i kanë dhënë, e sidomos në nivelin lokal që do ti kenë 50-50”.

Demolli, edhe një herë, ka kërkuar që pjesëmarrja e grave të jetë kudo dhe të ketë përfshirje më të madhe, pasi që sipas saj prezenca e grave nuk e ka arritur nivelin e dëshiruar.

“Gratë duhet të përcaktohen politikisht më shumë, të vijnë edhe në krye të partive politike, të vijnë edhe si punëtore për shembull në politika publike, të jenë në drejtori gjithë andej në këshilla të fshatrave, të jenë edhe në këshilla të tjerë, në bashkësi lokale të jenë sa më të përfshimë se ende prezenca e grave nuk është në nivelin e dëshiruar” ka thënë Demolli./Insajderi.com