Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi këtë të premte se qytetarët kanë plotësisht të indinjohen me deputetët të cilët janë kompensuar deri në mbi 800 euro vetëm në nëntor e dhjetor, për shpenzimet e udhëtimeve për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit apo komisioneve parlamentare.
“Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka dhënë njoftim për këtë çështje duke njoftuar se deputetët tanë do të tërhiqen vullnetarisht. Po ashtu ka kërkuar nga kryesia rishikimin e këtij vendimi për kompensim”.
Mes tjerash, u shpreh se qytetarët me të drejtë presin më shumë nga deputetët e zgjedhur.
Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët udhëtojnë për të marrë pjesë në seancat dhe komisionet funksionale në Prishtinë kompensohen me mjete financiare për shpenzimet e karburantit.
Mirëpo, praktika e tillë e kompensimit po kritikohet nga qytetarët të cilët e shohin të paarsyeshme marrjen e këtyre kompensimeve ngase “deputetët kanë paga të larta”.
Vendimi mbi kompensimin e deputetëve daton nga 10 tetori 2011 dhe parashihet që të kompensohen deputetët të cilët marrin pjesë në punimet e seancës dhe komisionet e caktuara ku deri në 30 kilometra udhëtim kompensohen me 10 euro, pastaj deri në 60 kilometra me 20 euro si dhe mbi 60 kilometra me 30 euro./Insajderi.com