Kuleta e shtetit të Kosovës do të jetë në dispozicion për avokatët e të akuzuarve potencialë të Gjykatës Speciale, për familjarë të të akuzuarve e edhe për të liruarit e mundshëm nga akuza.
Nuk do të ketë transparencë për një numër shpenzimesh, meqë procedurat për to shteti do t’i trajtojë si konfidenciale.
Të dhënat janë përfshirë në tri udhëzime administrative, kopje të të cilave Koha Ditore raporton se i ka siguruar.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka kërkuar këtë javë që këto dokumente të firmoseshin nga kryeministri Avdullah Hoti.
Kreu i Qeverisë ka refuzuar të hedhë firmat në to. Por nuk e ka ndalur procesin e hyrjes në fuqi të tyre. Në mbledhjen fundit të Qeverisë ai ka thënë se për përmbajtjen e edhe për nënshkrimin është përgjegjës vetëm ministri.
Njëri udhëzim administrativ siguron mbrojtjen juridike të personave të akuzuar potencialë për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Speciales.
Tjetri siguron mbështetjen e nevojshme financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar potencialë, për shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës.
E dokumenti i tretë siguron kompensimin e personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, të shpallur të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.