Shumë prej personave që kanë qenë prezent në momentin kur shpërtheu bombola e gazit në një restaurant në Ferizaj, janë intervistuar nga Prokuroria në Ferizaj, por që asgjë konkrete nuk është thënë prej tyre, transmeton Insajderi.
Kështu bëri të ditur kryeprokurori në Ferizaj, Shukri Jashari, i cili tregon edhe se policia do të bëjë ekspertizën rreth shpërthimit të bombolës aty.
“Janë identifikuar personat që kanë qenë pjesëmarrës në lokal. Një numër i madh janë intervistuar. Policia ka me caktua një ekspertizë se si ka ardhur deri tek shpërthimi i bombolës[…]Nuk di saktë, por një numër i madh i personave që kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur shpërthimi janë intervistuar por që nuk kanë thënë asgjë konkrete”, tha Jashari për KP.
Ndërsa ky rast do të jetë i hapur derisa të intervistohen edhe personat e lënduar.
“Ka kohë për tu bërë ekspertiza, për shkak se ka persona që janë duke u shëruar dhe kur plotësohen sërish do të intervistohen dhe për këtë rasti mbetët i hapur. Madje edhe pronari i lokalit që është i lënduar shumë, edhe ai duhet të intervistohet dhe kjo merr goxha kohë”, u shpreh më tej ai.
Ndërsa, shefi i Klinikës së Kirurgjisë Plastike në QKUK, Zenë Buja tregoi për gjendjen shëndetësore të pacientëve që ende janë duke u trajtuar në këtë klinikë.
“Kemi edhe gjashtë pacientë që po trajtohen në klinikën tonë, dy të tjerë i kemi liruar. Gjendja e tyre është e mirë, edhe gjendja e përgjithshme edhe gjendja lokale. 5 prej tyre i kemi operuar, kemi përdorur teknikën e transplantimit lëkuror, kemi marrë transplantin lëkuror prej gjymtyrëve dhe kemi vendosur në duar dhe pjesë tjera”, tha Buja.
Pacientët të premten pritet që të lirohen për në shtëpi.
“Pacientët tonë nuk ka pas komplikime, gjithçka ka shkuar mirë, janë trajtuar me kohë dhe nuk ka pas problem. Gjatë së premtes do të lirohen të gjithë pacientë”, tha ai. /Insajderi.com