Shpresat e VV-së janë se PDK-ja do ta votojë rrëzimin e Qeverisë

Shpresat e VV-së janë se PDK-ja do ta votojë rrëzimin e Qeverisë

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur procedurën për mocionin për rrëzimin e qeverisë së Avdullah Hotit dhe nga kjo parti besojnë shumë se mocionin e tyre do ta përkrahë edhe Partia Demokratike e Kosovës, njofton Insajderi.

Kështu ka thënë Arbërie Nagavci nga Vetëvendosje e pyetur në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.

“Ata kanë thënë që ta inicioi (mocionin) Vetëvendosje e ne e mbështesim”, ka deklaruar Nagavci, megjithatë nuk ka treguar se kush saktësisht ka thënë, apo vetëm po supozon se ashtu do të ndodhë.

Kjo pasi nga Partia Demokratike e Kosovës kanë pohuar që inicimi i mocionit nga Vetëvendosje është jo serioz dhe për ta përkrahur PDK-ja atëherë VV-ja duhet të bëhet e qartë e të tregojë nëse i kanë hequr vijat e kuqe që dikur i kishin me PDK-në, apo jo.

E ballafaquar me këtë, Nagavci ka thënë se “jo serioze është të thuash se je kundër kësaj qeverie e më pas të ndihmosh që t’i zgjatet jeta”.

Nagavci ka pohuar se pret vota edhe nga parti të tjera, madje edhe brenda Lidhjes Demokratike e cila është në pushtet.

Ajo ka kritikuar edhe një herë qeverinë e Avdullah Hotit dhe ka thënë se po dështon si në politikën e brendshme me keq-menaxhimin e COVID-19 si në politikën e jashtme me përfaqësimin e dobët të Kosovës në arenën ndërkombëtare./Insajderi.com