Shqipëri: Jep dorëheqjen Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj

Shqipëri: Jep dorëheqjen Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, pas ngjarjes ku 25-vjeçari Klodian Rasha u vra nga një punonjës i policisë, njofton Insajderi.

Gjatë fjalimit të tij lidhur me rastin, Rama tha se ministri i Brendshëm Lleshaj i kishte paraqitur dorëheqjen që pas ngjarjes, mirëpo ai i kishte kërkuar që të mbetej në detyrë, së paku deri në kthimin e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“I kam thënë të më pres të kthehem sepse kam dashur ta shoh në sy, ta dëgjoj dhe të më dëgjojë e të jem bashkë me të në momentin e këtij hapi të rëndësishëm [dorëheqjes] dhe jam shumë krenar për sensin e përgjegjshmërisë qytetare dhe kuotën morale me të cilën e mat veten dhe detyrën e tij Sandër Lleshaj,” – u shpreh kryeministri Rama.

Shqipëria ka hyrë në trazira pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia. Sipas autoriteteve, Rasha i kishte thyer masat e vendosura nga qeveria për mbrojte nga përhapja e COVID-19.

Rasha u vra të marten mbrëma nga një polic shqiptar. Të mërkurën në Tiranë dhe kryeqendra të tjera të Shqipërisë është protestuar dhunshëm. Qytetet janë shkatërruar nga protestuesit, të cilët po kërkojnë drejtësi për vrasjen e të riut./Insajderi.com