Burrat që ushtrojnë dhunë ndaj grave apo pjesëtarëve të tjerë të familjes në Shqipëri, do të dëbohen nga shtëpia, transmeton Insajderi.
Ky ndryshim i ligjit parashihet të hyjë në fuqi që nga dita e sotme, sa i përket masave kundër dhunës në familje, miratuar nga Parlamenti më datë 15 tetor 2020.
Ndryshimet janë botuar në Fletoren Zyrtare në datën 3 nëntor 2020, ndërsa hyjnë në fuqi dhe do të zbatohen duke filluar nga kjo e mërkurë (18 nëntor 2020). Konkretisht, ligji i ndryshuar parashikon që, Policia e Shtetit, para se të vihet në lëvizje gjykata, urdhëron largimin e menjëhershëm të dhunuesit nga banesa, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë.
Ligji i mëparshëm priste vendimin e gjykatës për të larguar dhunuesin nga banesa, kohë gjatë të cilës dhunuesi, kryesisht burrat, vijonin dhunën. /Insajderi.com