Shqipëria anulon pjesëmarrjen në samitin e SEECP në shenjë solidariteti me Kosovën

Shqipëria anulon pjesëmarrjen në samitin e SEECP në shenjë solidariteti me Kosovën

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka njoftuar se Shqipëria nuk do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) organizuar nga Bosnje-Hercegovina.

Cakaj në një postim në Twitter tha se trajtimi nga organizatorët në drejtim të Kosovës është i papranueshëm, përcjell lajmi.net.

Sipas tij trajtimi ndaj Kosovës shkon kundër synimit për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet.

Ministri në Detyrë Cakaj shkruan se nuk mund të ketë bashkëpunim pa trajtim të barabartë.

“Shqipëria anulon pjesëmarrjen në Samitin e SEECP në solidaritet me Kosovën. Trajtimi ndaj Kosovës nga organizatorëve është i papranueshëm dhe shkon kundër qëllimit të krijimit të një atmosfere besimi, marrëdhëniesh të mira fqinjësore dhe stabilitetit. Nuk ka asnjë bashkëpunim pa trajtim të barabartë”, ka shkruar Cakaj.

Një ditën më parë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ftesa denigruese e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e bënë të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim.

Si pasojë e kësaj Thaçi ka refuzuar që të marrë pjesë në takim.

Ai ka thënë se Kosova merr pjesë në forume të tilla vetëm kur trajtohet e barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse.

“Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë. Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE”, ka thënë Thaçi.