Shqipëria e Madhe pa të mëdhenjtë e saj

Idetë e Hashim Thaçit për bashkim me Shqipërinë që çojnë drejt te Shqipëria e Madhe, as nuk janë të reja e as nuk janë të ndara nga idetë e tij për ndarje me Serbinë deri te kufiri natyror – lumi Ibër. As nuk ka të keqe në këtë punë, pos që një Shqipëri e Madhe duhet të bëhet pa të mëdhenjtë e saj aktual. Pa Thacin e Haradinajn. Pa Berishën e Ramën. “Luli” i Kosovës dhe Luli i Shqipërisë janë të vegjël në këtë ekuacion

Shqipëria e Madhe pa të mëdhenjtë e saj

Shqipëria e Madhe. Serbia e Madhe. Etnike. Natyrore. Qysh do që ua jep mbiemrin këtyre dy krijesave edhe po të thuhen nga një faqe e pa verifikuar në rrejte sociale nxit reagime. Bëhen edhe më intriguese kur thuhen nga liderë shtetesh. Sikur hera e fundit kur ideja për Shqipërinë e Madhe, e thënë pak më ndryshe, për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, u tha nga Hashim Thaçi, që nuk është hiç më pak se sa një politikan që po bën gjithçka për ti ikur një gjykate ndërkombëtare që është ndërtuar për të.

Vite më parë një gazetar gjerman më pati treguar se kur e kishte intervistuar Edi Ramën si Kryebashkiak i Tiranës, ai i pati treguar një hartë të madhe që e mbante në zyrë. I tha që kjo është Shqipëria, lider i së cilës do të jetë një ditë vetë Rama.

Hashim Thaçi e Edi Rama janë dy liderë shtetesh shqiptare me ëndrrat të mëdha personale që i kanë vrarë ëndrrat e qytetarëve që i votuan. I pari ka krijuar një shtet të dështuar e tjetri një narko-shtet. Por, përtej këtyre mëkateve që i bartin me vete këta dy individë, sa reale duket ideja e një Shqipërie të Madhe. Etnike. Të Natyrshme?

Një dokument i CIA-s amerikane i 15 qershorit të vitit 1949 e përshkruan problemin shqiptar dhe të Shqipërisë ashtu siç edhe shqiptarët e besojnë, një komb i ndarë në disa shtete, që dikur ishin bashkë. Që duhej të trajtoheshin si të tillë. Ani pse drejtpërsëdrejti nuk e përmend Shqipërinë si Shqipëri të Madhe.

Është më shumë se gjysmë shekulli pjekje e kësaj ideje për bashkim të shqiptarëve në një shtet. Nuk është as e lehtë që të shuhet. As e nevojshme. Madje edhe betimet e para të ushtarëve të UÇK-së nuk ishin për një Kosovë të pavarur. Më shumë për një Shqipëri të bashkuar.

Një nga drejtuesit e UÇK-së në Karadak së fundi më tha që kur e kishin nisur atë Zonë Operative e kishin nisur veç si nën-zona e Karadakut, që bie nën Zonën Operative të Kosovës me qëllim që UÇK-ja të ishte më vonë një ushtri shqiptare. Pse pjesë e saj.  Për këtë ide ai pastaj mori pjesë edhe në konfliktin e Maqedonisë me UÇK-në Kombëtare atje dhe më vonë edhe në Luginën e Preshevës me UÇPMB-në.

Faktet tjera dihen. Rrjedhat historike edhe më shumë. Një Shqipëri e Madhe do të ishte stabilitet për regjionin, dhe jo kërcenim për ata që frikësohen më së shumti nga ajo, serbët. Edhe ashtu, shqiptarët nuk kanë pasur ekspedita pushtuese. Më shumë njihen si komb që kanë fituar beteja, por kanë humbur luftëra me perandoritë. Që nuk duan të paguajnë taksa, dhe për tu ikur atyre e nderojnë edhe fenë. Perandoritë pushtuese nuk krijohen pa mentalitet të pagesës së taksave.

E ideja për krijimin e një Shqipërie te Madhe duke e ndarë një pjesë të Kosovës, më saktë Veriun e saj e për ta bërë një kufi natyror me Serbinë në lumin Ibër, e për ta marrë një pjesë të vogël të Luginës së Preshevës, deri aty ku fillon autostrada e Medvegjës, dhe po ashtu edhe një pjesën shqiptare të Maqedonisë, nuk është shaka që mund të bëjnë politikë si Hashim Thaçi, i dyshuar për krime serioze që mund të merret nga Gjykata Speciale në Hagës. As Edi Rama, me makinat e ministrave të të cilit bartet drogë e cilësisë së mirë. As Sali Berisha që e kishte thyer embargon e OKB-ës për ta ndihmuar Sllobodan Millosheviçin me naftë për të vrarë shqiptarët e Kosovës. As Lulzim Basha, ‘Luli i vocërr’, që u implikua në zhdukjen e provave të së paku një masakre të madhe në Kosovë. As nuk është punë për ‘Lulin’ e Kosovës-Kadri Veselin, që është i përjetshëm në tryezën e vendimeve të mëdha. Ramush Haradinaj në anën tjetër mbetet një zë interesant, por i parëndësishëm, që flet për çizme të ushtrisë dhe tenton që të këndoj këngë patriotike sa për të dalë edhe më qesharak.

Por, idetë e Thaçit për bashkim të Kosovës me Shqipërinë as nuk janë te reja. As nuk janë të ndara nga idetë e tij për shkëmbim territoresh me Serbinë. Janë i njëjti skenar me kapituj të ngatërruar.

Një lloj Shqipërie e Madhe është e pashmangshme. Kosova është një shtet i vocërr, që pret që vitet e ardhshme, për shkak të rënies së natalitetit dhe emigrimit,  të zvogëlohet edhe më shumë. Nuk ka industri e resurse natyrore sa për të qëndruar e vetme ekonomikisht. Sa për aspiratat e saj për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ato veç e tkurrin buxhetin e saj që mbushet nga kufijtë e saj në përmasë sa nuk mbetet as buxhet i një korporate. Aq sa mund të nxirret nga minierat e Kosovës, përfshirë këtu edhe Trepçën, një këngëtare e pop-muzikës mund të fitoj aq. Njëra nga këto çikat që “po na e zbardhin fytyrën”.

Kurdo që të bëhet një lloj Shqipërie e Madhe, qoftë ajo edhe një konfederatë ekonomike në mes Kosovës, Shqipërisë dhe pjesëve të tjera të banuara me shqiptarë, duhet të jetë pa Ramën, Berishën, Thaçin. Pa dy ‘Lulat e vocërr”. Pa të gjithë ata që i bënë jo-funksionale këto dy shtete.