Policia shqiptare e kufirit tani ka akses në bazën e të dhënave të FBI-së për terrorizmin
Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se vendet e Ballkanit kanë qenë të suksesshme në ndjekjen dhe arrestimin e luftëtarëve të huaj, por rajoni, shtoi ai, përballet me kërcënimin e mundshëm të atyre që kalojnë tranzit si refugjatë që largohen nga Siria, Iraku apo Afganistani. Këto deklarata ambasadori Lu i bëri gjatë një konference rajonale për çështjet e ekstremizmit të dhunshëm dhe emigracionit të paligjshëm, ku u vu theksi te forcimi i mëtejshëm i koordinimit dhe bashkëpunimit mes vendeve të ndryshme.
Në vendet e Ballkanit perëndimor janë të paktën 89 persona të cilët janë dënuar për pjesëmarrje në luftimet në Irak e Siri përkrah ISIS-it apo lidhje me organizatat terroriste. Ambasadori amerikan Donald Lu tha se Bosnja ka gjetur fajtorë 12 persona dhe 8 të tjerë janë aktualisht në gjykim. Kosova ka marrë të pandehur 75 persona dhe ka siguruar vendime fajësie në mbi 50 çështje. Maqedonia tashmë ka 18 vendime fajësie për akuza që lidhen me luftëtarët e huaj. Dhe Shqipëria më herët këtë vit, dënoi 9 persona me 152 vite gjithsej për rekrutimin dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste.
Në Konferencën rajonale për çështjet e ekstremizmit të dhunshëm dhe emigracionit të paligjshëm, ambasadori Lu u shpreh se “vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë jashtëzakonisht të suksesshme dhe duhet të jenë krenare për sukseset e tyre të fundit në arrestimin dhe ndjekjen penale të luftëtarëve terroristë të huaj”.
Por sipas tij tani “Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë shqetësuar në lidhje me një kërcënim të ri — kërcënimi i mundshëm i luftëtarëve të huaj që kalojnë tranzit si refugjatë që largohen prej Irakut, Sirisë dhe Afganistanit”.
Sipas tij, “një nga pikat kyçe është informimi më i mirë dhe mbrojtja më e mirë e kufijve”, ndërsa tregoi se “një nga mjetet që i është vënë në dispozicion kohët e fundit Shqipërisë nga FBI-ja amerikane dhe Qendra Kombëtare e SHBA-së kundër Terrorizmit është aksesi në bazën e të dhënave për terrorizmin përmes një marrëveshjeje për ndarjen e informacionit, nënshkruar gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në Uashington në muajin prill. Me këtë mjet, Policia Kufitare shqiptare mund të hyjë në listën e mijëra terroristëve potencialë që është hartuar në bashkëpunim me dhjetëra vende partnere”, shpjegoi ambasadori amerikan, ndërsa theksoi se vetëm bashkëpunimi mes vendeve mund t’i bëjë ballë kërcënimeve terroriste.
Nevojës së bashkëpunimit i mëshoi dhe ambasadorja e delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë Romana Vlahutin. “Eshtë e qartë se sfidat e reja të sigurisë janë këtu, për të qëndruar për një kohë të gjatë, prandaj kërkojnë përgjigje gjithpërfshirëse që i trajtojnë këto sfida në disa dimensione njëkohësisht. Lufta efikase kërkon bashkëpunim më të madh mes shërbimeve të sigurisë në mbarë globin”, tha ajo duke nënvizuar se “shumë është bërë kohët e fundit, por sulmet e fundit në Europë tregojnë mangësitë në koordinim dhe në shkëmbimin e informacionit. Do të thotë pra se mbetet shumë për të bërë”, theksoi ajo.
Sipas ambasadores Vlahutin duhen kuptuar shkaqet të cilat bëjnë që kryesisht të rinjtë të tërqihen nga ISIS-I si dhe duhet investuar në kërkime dhe për të komunikuar rrisqet e radikalizmit. Ajo tha se Bashkimi europian ka një program rej 70 milion eurosh në mbështetje të përpjekjeve kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit si dhe po mendon të mbështesë Qendrën e posaçme rajonale që pritet të ngrihet në Shqipëri.
Edhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi theksoi nevojën e një ndërhyrjeje shumëplanëshe, ndërsa njoftoi zbatimin këtë vit shkollor të një program pilot i cili sic shpjegoi ai, “synon jo vetëm transmetimin e disa dijenive bazë për fenë dhe bashkëjetesën fetare, por dhe përgatitjen e të rinjve për të përballuar presionet ekstremizuese. Në linjë me karakterin laik të shtetit dhe shkollës, strategjia synon të mbush vakuumin e krijuar ndër vite në çështjet e edukimit civil lidhur me besimin fetar. Ky vacuum, i krijuar nga droja për të cekur çështjet e fesë në emër të laicitetit, ka krijuar një hapësirë vulnerabël për ndërhyrjet radikale. Ne mendojmë se laiciteti i shkollës nuk duhet kuptuar si një tabu heshtjeje, ndaj çështjeve të fesë, por si detyrim për t’i trajtuar drejt ato, sigurisht me një këndvështrim kulturor dhe civil pa duplikuar komunitetet fetare e duke bashkëpunuar ngushtë me to”
Ndërsa në vitet 2013-2014 mendohet të jenë më shumë se 90 qytetarët shqiptarë të përfshirë në luftimet në krah të ISIS-it, në dy vitet e fundit vlerësohet se nga Shqipëria nuk ka patur më persona që të jenë larguar drejt Sirisë dhe Irakut./VOA