Shqipëria financon restaurimin e godinës së Këshillit Kombëtar dhe Qendrës Kulturore në Bujanovc

Ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë,  Gent Cakaj ka thënë se Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë ka vendosur marrjen përsipër të financimit për restaurimin e godinës së Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe funksionalizimin e plotë të Qendrës Kulturore Multidimensionale të këtij Këshilli në Komunën e Bujanovcit.

“Funksionalizimi i plotë i Qendrës Kultutore Multidimensionale në Komunën e Bujanovcit do të ketë një funksion tepër të rëndësishëm në ruajtjen, promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe më gjerë. Kjo Qendër, po ashtu, do të ushtrojë një ndikim pozitiv edhe në vitalizimin e shoqërisë civile në ketë hapësirë me vlerë të veçantë historike”, ka shkruar Cakaj  në Facebook.

Tutje ai ka thënë se shumë shpejtë do të bëhet një marrëveshje për shqiptarët e Luginës.

Shumë shpejt duhet të procedohet me një marrëveshje të veçantë bashkëpunimi për mbështetje të veçantë financiare, politike, shoqërore dhe kultutore për shqiptarët e Luginës”, ka shkruar Cakaj.