Shqipëria investon në korridorin e jugut, synon nxitjen e turizmit

Shqipëria investon në korridorin e jugut, synon nxitjen e turizmit

Në korridorin turistik të jugut ka nisur puna për zhvillimin e produkteve turistike për bashkitë Berat, Gjirokastër, Sarandë, Përmet.

Strategjia do të zhvillohet në kuadër të projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik, një projekt kompleks që financohet nga Qeveria shqiptare e Banka Botërore dhe zbatohet nga FSHZH.

Ky projekt ka filluar vitin e kaluar dhe rreket të zhvillojë turizmin në jugun e vendit nëpër korridorin turistik të qarqeve Vlorë, Berat dhe Gjirokastër, me fokus katër bashkitë: Berat, Sarandë, Përmet dhe Gjirokastër.

Nga ky projekt në vlerën 63.8 milionë euro, siç raporton atsh, parashikohet të përfitojnë 84 mijë banorë dhe rreth 300 mijë turistë.

Përmirësimi i infrastrukturës urbane, nxitja e turizmit dhe forcimi i kapaciteteve institucionale për të mbështetur turizmin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale në zonat e përzgjedhura në jug të Shqipërisë, janë objekt i këtij projekti.

Gjithashtu, zbatimi i këtij projekti, do të ndikojë në zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në rajonin e jugor të vendit, nëpërmjet financimit të projekteve të infrastrukturës.

Investimit në bashkitë Sarandë, Gjirokastër, Berat dhe Përmet, do të përfshijnë rehabilitimin e hapësirave publike, rrjetit rrugor, nyje inter-modale dhe infrastruktura shoqëruese (p.sh , trotuaret, kryqëzimet rrugore, ndriçimet rrugore, korsitë e biçikletave, stacionet e autobusëve); restaurimin e ndërtesave të përzgjedhura të trashëgimisë dhe përmirësimin e fasadave të ndërtesave të zgjedhura dhe; përmirësimin e zonave turistike (rrugët hyrëse, qendrat e vizitorëve, vendparkimet, sinjalistika turistike) si dhe rehabilitimi i rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve.

Gjithashtu, investimet përgjatë korridorit turistik në Shqipërinë e Jugut, do të përfshijnë restaurimin e objekteve të trashëgimisë dhe aseteve kulturore, përmirësimin e infrastrukturës mbështetëse.