Shqipëria kërkon nga partitë në Kosovë të arrijnë marrëveshje për presidentin

Shqipëria kërkon nga partitë në Kosovë të arrijnë marrëveshje për presidentin

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka deklaruar se subjektet politike në Kosovë duhet të bashkëpunojnë dhe të arrijnë një marrëveshje për të zgjidhur çështjen e presidentit, transmeton Insajderi.

Ai thotë që partitë duhet të heqin dorë nga qasja që secila ka për kandidatët dhe të gjendet një kandidaturë konsensuale që do të votonin të gjithë për të.

“Mendoj që ky problem i takon partive politike, të cilat duhet të bëjnë një pakt për të dalë nga kjo situatë e vështirë politike që është, jo vetëm thjesht për zgjedhjen e presidentit, por edhe për problemet më të rëndësishme që ka Kosova sot. Problemi është që u takon partive të hiqen nga qasja që secila ka për kandidatët. Është e rëndësishme të shihet problemi më në thellësi. Të gjendet një kandidaturë konsensuale që të gjithë do të votonin për të”, ka thënë ai për EO.

Minxhozi ka refuzuar të komentojë nëse në Kosovë duhet të ketë zgjedhje të parakohshme, por ka shtuar se “duhet të ketë zgjidhje”.

Bashkëpunim ai ka kërkuar edhe ndërmjet vendeve fqinje, bashkëpunim ky që sipas tij, duhet të jetë pa paragjykime. /Insajderi.com