Shqipëria kryeson listën e prodhimit të kanabisit në Evropë

Shqipëria kryeson listën e prodhimit të kanabisit në Evropë

Qendra Monitoruese Europiane për Drogën dhe Varësinë ndaj Drogës publikoi të martën në Bruksel “Raporti mbi Drogën Europiane 2017”, duke vlerësuar se ka një rritje të trafikut nga vendet e Ballkanit, mes të cilave dallohet Shqipëria.

“Raportet e fundit tregojnë ndryshime në rrugët, e trafikimit të kanabisit me rritjen e trafikimit të kanabisit bimor (marijuanës) dhe hashishit nga Ballkani Perëndimor, sidomos Shqipëria”, nënvizon raporti.

Dokumenti thekson më tej se kjo rritje është e lidhur me rritjen e kultivimit të kanabisit në këto vende. Sipas Raportit “marijuana dhe hashishi janë dy produktet kryesore të kanabisit të gjetura në tregun evropian të drogës, ndërsa vaji i kanabisit është relativisht më i rrallë”.

Të dhënat e Raportit Europian për Drogën 2017 i referohen kryesisht informacioneve deri në vitin 2015 ndërkohë që Shqipëria, gjatë vitit të kaluar, njohu një rritje të ndjeshme si të kultivimit edhe të trafikimit të marijuanës. Policia shqiptare tha se kreu në të gjithë vendin gjatë vitit 2016 rreth 2.000 operacione policore duke zbuluar 1.700 raste të kultivimit të bimëve narkotike, duke asgjësuar rreth 2.5 milionë bimë narkotike të mbjella në 5211 parcela.

Sipas saj, përgjatë vitit 2016 janë identifikuar të përfshirë ne vepra penale për narkotikë 482 autorë, nga të cilët 309 janë arrestuar apo ndaluar, 58 ndjekur në gjendje të lirë dhe 115 autorë janë shpallur në kërkim.

Gjatë vitit 2016, “Guardia di Finanza” italiane, i përcolli policisë shqiptare 27 raporte monitorimi, ku ishin evidentuar nga vëzhgimi ajror 2086 parcela të mbjella me marijuanë. Policia shqiptare tha se nga këto koordinata janë verifikuar në terren 99.8% e tyre, janë asgjësuar 738.648 bimë narkotike, të cilat përbëjnë 29 % të totalit të bimëve narkotike të asgjësuara”.

Por monitorimet nga ajri mbuluan vetëm një pjesë të territorit. Dhe në fakt më pas, dhjetëra tonë marijuanë u bllokuan në operacione të ndryshme si nga policia shqiptare ashtu dhe nga policitë e vendeve fqinje Greqia dhe Italia.

“Raporti mbi Drogën Europiane 2017”, vlerëson se “produktet e kanabisit përbëjnë pjesën më të madhe të tregut të paligjshëm të drogës me pakicë në Evropë (38%), me një vlerë të parashikuar prej 9.3 miliardë eurosh. Ka gjasa –thekson dokumenti – se kjo shumë varion nga 8.4 miliardë euro në 12.9 miliardë euro”.

Ndërkohë vendet e Ballkanit janë evidentuar edhe si një rrugë e rëndësishme e trafikut të heroinës nga Turqia e cila kalon përmes kufijve të Bullgarisë, Rumanisë dhe Greqisë në vendet e Europës Qëndrore./VOA