Shqiptarët e Luginës i kërkojnë Vuçiq-it pozita në qeverinë e re të Serbisë

Shqiptarët e Luginës i kërkojnë Vuçiq-it pozita në qeverinë e re të Serbisë

Delegacion i shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, kanë kërkuar përfshirje në Qeverinë e Serbisë në takimin e sotëm me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, njofton Insajderi.

Udhëheqësi i këtij delegacioni, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, ka deklaruar se delegacioni i partive shqiptare në takimin në Beograd, gjatë konsultimit për formimin e qeverise së re serbe, ka kërkuar nga Vuçiq pozitën e ministrit në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, zëvendës-ministrin e Ekonomisë, Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Arsimit dhe Kryetarin e Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin.

Kërkesat e shqiptarëve të Luginës i ka bërë publike edhe vetë Arifi në llogarinë e tij në Facebook.

“Kësaj radhe ndryshe”, ka shkruar Arifi.

“Sot ia bëmë të qartë presidentit Vuciq qëndrimet e Shqiptarëve te Luginës së Preshevës. Nëse ai dëshiron t’i tregojë botës sa evropianë janë si popull, është momenti i duhur ta vërtetojë me vepra. Jo më me fjalë”, vazhdon shkrimi i Arifit, duke listuar kërkesat e lartcekura.

Delegacioni shqiptar ende nuk ka marrë përgjigje për këto kërkesa nga Vuçiq./Insajderi.com