Banorët shqiptarë në veri të vendit, jetojnë në kushte të rënda ekonomike. Ata jetojnë në fshatra të izoluara dhe me pak mundësi për punësim. Ata janë të zhgënjyer dhe thonë se janë lodhur duke pritur me shpresë se një ditë do të bëhet më mirë. Sipas tyre, kjo gjendje nuk është e rastësishme por e planifikuar në mënyrë që edhe këta pak banorë shqiptarë të largohen nga ajo zonë.
Rrugën me gurë, që shpie drejt fshatit Cerajë të Komunës së Leposaviqit, në gjatësi prej 3 kilometrash e ndanë magjistralja kryesore që të shpie në kufi me Serbinë. Me të hyrë në këtë fshat, të krijohet përshtypja se nuk funksionon asgjë.
Fillimisht takojmë Ramadan Rrahmanin, i cili jeton vetëm me gruan e tij. Ai thotë se banorët janë shpërngulur nga fshati Cerajë për mungesë të kushteve elementare dhe perspektivës. Gjatë dimrit, Rrahmani thotë se janë të bllokuar, për arsye se askush nuk interesohet për ta.
“Në tri fshatrat janë diku 20 shtëpi. Krejt janë duke u shpërngulur, nuk kanë kushte jetese, me një transport humanitar janë duke bërë shaka me njerëz. Gati dy vite nuk ka pasur hiq, tash e kanë lëshuar, e kanë zgjedhur një kompani më të keqen që ekziston. Kam merak këtu të rri, këtu kam lindur edhe dua të jetoj, por nuk po na ndihmojnë. As rrugë nuk kemi, shumë e vështirë ta kalojmë dimrin. Përpara ka qenë autobusi në asfalt poshtë, dhe deri atje ke shkuar në këmbë, por tash sa të është rruga e mbyllur edhe ti je i bllokuar. Komuna e Mitrovicës Jugore nuk merret hiq, kjo e Veriut edhe ma hiq. Veriun Jugun nuk e lejon me mu marr”, tha ai për Radio Kosovën.
Në këtë zonë, nuk ka investime në infrastrukturën rrugore, e cila të paktën do t’ua lehtësonte lëvizjen këtyre banorëve. Ata thonë se mungesa e investimeve është e qëllimshme, në mënyrë që banorët të detyrohen të largohen nga ajo zonë. Gjendja e tillë është edhe në disa fshatra të tjera të asaj zone. Fshati Bistricë aktualisht numëron rreth 10 familje.
Bexhet Hetemi jeton bashkë me familjen pesë anëtarësh. Ai tregon për radion tonë se përballen me probleme të shumta.
“Kushtet nuk e di, nuk e di a ka më vështirë në Kosovë , shumë ka ecur në vende të ndryshme,po gjithë më shpresë se po përmirësohet diçka po hiq asgjë. Fëmijët i kam në shkollë, diqysh ai transport nuk është as për nxënës as për punëtorë. Të hënën vijnë, rrinë ndonjë ditë me qira, ose ku kanë mundësi, e të premten kthehen në shtëpi. Ka pasur shpërngulje shumë. Kaq vjet pas luftës gjithmonë me shpresë”, tha ai.
Hetemi thotë se kanë një zyrë e cila është e themeluar për të zgjidhur problemet e shqiptarëve në këtë zonë, por, sipas tij, nuk funksionon.
“Punëtorët që punojnë nuk vijnë aty kurrë, janë të punësuar dhe të emëruar që nga koha e UNIMK-ut, nuk flasin në emrin tonë, nuk vendosin në emër tonë, por krejt të kundërtën e asaj se çka i nevojitet popullatës dhe çka mendon popullata. Në stinë dimri, bëhen muaj që nuk dalim në qytet. I kemi pasur disa pajisje për pastrimin e borës, por zyra nuk funksionon, edhe ato janë prishur, më si mbikëqyr askush. Para disa viteve është dashur të intervenojë Komuna e Mitrovicës të zhbllokoj rrugën, po na thonë që e keni komunën e juaj, zyrën e juaj, por ne, fatkeqësisht nuk e kemi askënd”, tha ai.
Banorët Ramadan Rrahmani dhe Bexhet Hetemi nga Ceraja thonë se brenga më e madhe e tyre janë të rinjtë, të cilët, sipas tyre nuk shohin ndonjë perspektivë për të vazhduar të jetën në këto anë.