Shqiptarët në Luginën e Preshevës rrezikojnë të mbesin pa përfaqësues në Parlamentin e Serbisë.
Ngase, subjektet e tyre politike në zgjedhjet e 3 prillit do të garojnë ndaras për dallim nga hera e kaluar, kur ata garonin me një listë të përbashkët kur edhe arritën të fitonin tre deputetë.
Kurse, në këto zgjedhje partitë shqiptare do të garojnë me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare me 20 kandidatë.
Nga Lëvizja Vatrae cila funksionon në Kosovë, Kushtrim Kadriu, kritikon subjektet politike në Luginë, se për shkak të mos unitetit janë duke rrezikuar edhe përfaqësimin politik të komunitetit shqiptar në Serbi.
“Mbi 15 mijë vota duhet për një deputet. Tash kjo përqindje është goxha e madhe që të arrihet kur kemi dy parti politike në garë. Duke ditur edhe numrin e madh të pasivizimeve që është duke bërë Serbia çdo ditë ku e drejta e votës nuk ekziston atëherë këta rrezikojnë të mbesim pa përfaqësues. Po ashtu, kemi edhe faktorin e emigracionit në drejtim të Evropës me viza pune, ku 18 mijë veta ka qenë vitin e kaluar me marr viza pune shumë prej tyre i kanë marr që ata nuk marrin pjesë në zgjedhje”, ka thënë ai.
Alternativa për Ndryshim e bën përgjegjës Shaip Kamberin
Këtë e pranon edhe Arbër Pajaziti, që kryeson partinë Alternativa për Ndryshim në Bujanoc.
Ai thotë se ata rrezikojnë që të mbesin pa përfaqësim në Kuvend shkaku i numrit të vogël të votuesve shqiptar që gjenden në Luginë.
“Ekziston mundësia që mos të kemi asnjë deputet. Mirëpo ekziston mundësia që të fitojmë ndonjë deputetë. Cenzusi do të jetë më i lartë sepse në zgjedhjet e vitit 2020 opozita i kishte bojkotuar zgjedhjet dhe dalja ka qenë shumë më e ulët. Kësaj here merr pjesë edhe opozita kështu diku mbas një kalkulimi tonë për një deputet do të nevojiten 15 mijë vota dhe duke e ditur numrin e vogël të shqiptarëve që janë këtu rrezikojmë që ndoshta edhe një mos të shkojë”, shprehet ai.
Por, për këtë fajëson oponentin e tij politik, Shaip Kamberi.
Thotë se Kamberi ka formuar një listë e cila është në kundërshtim me parimet e marrëveshjes e cila ishte ndërmjetësuar nga Shqipëria.
“Ajo përse ne nuk jemi në një listë nuk është në fajin tonë sepse lista Alternativa Demokratike Shqiptare është formuar në vitin 2020 me ndërmjetësimin e ish-minsitrit Gent Cakaj dhe ne ende jemi në atë listë. Kurse deputeti Shaip Kamberi ka formuar listë tjetër duke mos i mbajtur parimet e vitit 2020 që i kishte caktuar vetë. Kishte thënë se partitë që kanë më së shumti këshilltar në Kuvendet Komunale në tri komunat duhet të jenë bartës të listës. Atëherë ky parim nuk ka qenë në përputhje për me qenë bartës i listës sepse partia e tij radhitet e dyta në garë”, ka potencuar ai.
Ish-deputeti Shaip Kamberi, ka refuzuar që të përgjigjet në lidhje me akuzat të cilat i janë bërë nga oponentët e tij politik.
Kritika për të dy kandidatët
Kadriu nuk ka vlerësim pozitiv për punën e dy kandidatëve të cilët synojnë që të bëhen deputetë.
Thotë se Shqiprim Arifi i cili po kërkon votat nga komuniteti shqiptar nuk kishte qeverisur mirë me komunën e Preshevës.
Kurse, ish-deputeti Shaip Kamberi, kishte treguar performancë jo të mirë në Parlament, ngase më shumë kishte trajtuar probleme të cilat lidheshin me Kosovën sesa me Luginën.
“Shqiprimi kur ka ardhur si kryetar komune në Preshevë ka ardhur me premtime shumë të mëdha, për zhvillim ekonomik dhe në fund nuk ka ndodhur asgjë. Kurse, Shaipi ka luajtur rolin e zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës në Parlament. Nuk i ka trajtuar problemet e Luginës”, thotë ai.
Sa votues kanë tri komunat shqiptare në Serbi?
Bartës i listës së Koalicionit të Shqiptarëve të Bashkuar është Shaip Kamberi.
Kurse, nga Alternativa Demokratike Shqiptare bartës i listës është Shqiprim Arifi.
Në vitin 2020, ata ishin bashkuar pas insistimit të ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj.
Kësaj radhe, të ndarë nuk dihet nëse do të mund të fitojnë.
Numri i saktë i shqiptarëve që banojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk është i ditur, për shkak të mosregjistrimit të popullësisë që nga viti 2001.
Sipas një regjistrimi të bërë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në vitin 2015, llogaritej të ishin rreth 70 mijë banorë.
Sipas subjekteve politike, rreth 20 mijë kanë emigruar./Insajderi.com