Laureta dhe Altuna – dy vajzat e shqiptarit 46 vjeçar në Gjermani, Shefik Hyseni, janë shpëtuar me helikopter nga përmbytjet në këtë vend, transmeton Insajderi.
Pas ribashkimit me të bijat, Hyseni është rrëfyer lidhur me rastin e rëndë që i ndodhi në familje, derisa nuk e dinte nëse vajzat e tij kishin qenë në gjendje të dalin të sigurta në kohë.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”, Hyseni tregoi se me orë të tëra nuk e dinte nëse vajzat e tij 17 dhe 13-vjeçare janë gjallë nga përmbytjet.
“Të mërkurën në mbrëmje vajzat e mia më telefonuan dhe më thanë se uji kishte hyrë tashmë në katin e parë!” tha 46-vjeçari që vrapoi menjëherë në shtëpi.
Por kur ai arriti nuk kalonte dot më – uji ishte kudo.
“Hera e fundit që fola me to ishte rreth orës 21:00. Pastaj lidhja u ndërpre”.
Krejt i dëshpëruar, punëtori priti tërë natën në një urë nga e cila mund të shihte shtëpinë e tij. Por dje në orën 5.30 pasdite i erdhi lajmi që e lumturoi – vajzat e tij ishin shpëtuar nga shtëpia e përmbytur me anë të helikopterit.
Babai shqiptar tha: “Ne vetëm kemi qarë në krahët e njeri –tjetrit. Tani duhet vetëm të shohim se çfarë ka mbetur nga shtëpia jonë”. /Insajderi.com