Shqiptari në pranga, pornografi me të mitur amerikanë

Një shtetas shqiptar 26 vjeç nga Fieri u arrestua gjatë një operacioni të organizuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me prokurorinë e Tiranës dhe Departamentin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Shqiptari në pranga, pornografi me të mitur amerikanë

“Si rezultat i bashkëpunimit me Departamentin amerikan të Sigurisë Kombëtare u mor njoftimi se ekzistonin komunikime mes disa profileve të rrjetit social Facebook, të cilat kishin të bënin me pornografi me të mitur dhe menjëherë, në bashkëpunim me prokurorinë, specialistët e krimit kibernetikë në Policinë e Shtetit nisën hetimet”, shpjegoi në një deklaratë policia shqiptare sipas së cilës hetimet kishin zgjatur gati 1 vit.

Në kuadër të operacionit “E-TRACE” u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit D. Dh., 26 vjeç, lindur e banues në Fier. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë edhe dy shtetas, 22 e 25 vjeç, banues në Tiranë e Fier”, bëri të ditur policia. Rasti kishte të bënte me dy profile në rrjetin social Facebook, “nëpërmjet të cilëve janë prodhuar e dërguar imazhe të turpshme dhe imazhe të shfrytëzimit të fëmijëve të mitur. Përdoruesit e këtyre profileve, me anë të komunikimeve në rrjetin social Facebook, në periudha të ndryshme, kanë ngacmuar dy fëmijë të mitur, 9 vjeç e 12 vjeçe, banues në Amerikë. Nga hetimet e kryera në vazhdimësi u provua se të dyja këto profile i përkisnin shtetasit të ndaluar”, saktëson deklarata.

Sipas legjislacionit shqiptar, vepra penale “Pornografia me të mitur”, parashikon një dënimi deri në 10 vjet burg./voa.