ShSKUK obligohet t’i japë pagë për 15 muaj pa punuar Gani Bajraktarit

ShSKUK obligohet t’i japë pagë për 15 muaj pa punuar Gani Bajraktarit

Inspektorati i Punës ka marrë vendim pro ankesës së kardiologut të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Gani Bajraktari, i cili ishte pushuar nga puna për shkak të ankesave të pacientëve në Klinikën e Kardiologjisë, njofton Insajderi.

Përmes këtij vendimi, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës obligohet që t’ia ekzekutojë pagën për 15 muaj, në një afat kohor prej tetë ditësh.

Vendimin e Inspektoratit Bajraktari e ka publikuar në Facebook, teksa ka akuzuar ish-drejtorin e ShSKUK-së, Basri Sejdiu për dëmtim të “buxhetit të varfër të Kosovës”.

Ai po ashtu e ka quajtur matrapaz Sejdiun, pasi sipas tij, është shkarkuar nga posti për shkak të dallavereve, shpërdorimit të buxhetit e detyrës zyrtare.

“Një mashtrues ordiner i pacientëve dhe institucioneve me paraqitje të rremë për 15 vjet me radhë (dhe në vazhdim) me faksimil për të cilin nuk ka licencë; një shkatërrues i infrastrukturës profesionale të institucionit më të madh shëndetësor në Kosovë, që krejt aksidentalisht e arbitrarisht ishte vënë në atë pozitë (për të cilën nuk kishte plotësuar kriteret minimale të parapara); një njeri që nuk kishte kaluar kurrë lumin Sava, e që përveç gjuhës së hasmit tonë shekullor (jo të tij), në shekullin 21 nuk dinte asnjë fjalë tjetër të huaj”, ka shkruar kardiologu.

Bajraktari ishte përjashtuar nga puna nga Komisioni Disiplinor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në korrik të 2019-ës, tre muaj pasi ai u suspendua për “mosofrim të ndihmës mjekësore”./Insajderi.com

DËMTIMI I BUXHETIT TË SHTETIT NGA NJË MATRAPAZ FALSIFIKATOR
Kosova – ky vend që ka duruar kaq shumë

SHSKUK obligohet që…

Posted by Gani Bajraktari on Monday, April 12, 2021