Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka dhënë sqarime rreth tenderit për furnizim me Heparinë, njofton Insajderi.
Në lidhje me publikimin e tenderit për furnizim me Heparinë, e cila është jetike për pacientët në dializë sepse asnjë dializë nuk mund të bëhet pa të, ShSKUK ka sqaruar se ka shpallur tender me procedurë të hapur me datë 18.09.2020, ku pas vlerësimit profesional, ka shpallur fitues operatorin ekonomik, i cili ka pasur ofertë me çmim me të lirë.
“Kjo lëndë ka qenë e trajtuar tri herë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik dhe pas dështimit, ShSKUK ka qenë e detyruar të hapë procedurë të negociuar për furnizim, për të mos e rrezikuar jetën e pacientëve që kryejnë dializën. Ndërsa, sa i përket procedurës së rregullt, Operatori Ekonomik në procedurë kishte bërë ankesë në OShP, me arsyetimin se është i vetmi ofertues që e ka të regjistruar produktin në Kosovë.
“OShP me datë 10.12.2020, kishte kthyer lëndën në rivlerësim. ShSKUK në fazën e rivlerësimit ka vërtetuar se ka tejkalime substanciale të buxhetit dhe sërish është anuluar tenderi. OShP, me datë 26.01.2021 përsëri e kishte kthyer lëndën në rivlerësim. Kurse, në fazën e rivlerësimit ka marrë çmimet referente nga rajoni dhe ka vërtetuar se ka tejkalime të buxhetit, sërish është anuluar tenderi”, thuhet në sqarimin e ShSKUK-së.
Ky sqarim nga ShSKUK-ja vjen pasi Instituti Demokratik i Kosovës e ka akuzuar se ka humbur afër 60 mijë euro të parasë publike duke e blerë Heparinën me çmim dyfish më të shtrenjtë, duke shkelur kontratën me kompaninë “Liri Med”. Vlera e kësaj kontrate ishte 119,000.00 euro me kohëzgjatje prej 3 muajsh. /Insajderi.com