Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese mbrojtëse nga koronavirusi, ka shqyrtuar sot gjendjen aktuale me pandeminë, respektimin e masave mbrojtëse dhe rikthimin në Zonën e Kuqe.
Në takimin e sotëm të udhëhequr nga nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, u diskutua për situatën e përgjithshme epidemiologjike në Podujevë, pas shtimit të rasteve me të infektuar ditëve të fundit dhe rikthimit në zonën e kuqe.
Lidhur me gjendjen me pandeminë, epidemiologia Bedrie Rama, tha se situata është e menaxhueshme edhe përkundër numrit të madh të rasteve ditëve të fundit.
“Deri tani në Komunën e Podujevës janë 3,007 persona të shëruar, 355 persona aktivë me COVID-19 dhe 40 persona, të cilët kanë përfunduar me vdekje. Numri mesatar i testimeve në ditë është 100-135”, tha Rama.
Shefja e sektorit të operativës nga stacioni i policisë, Valbona Blakçori, tha se janë duke zbatuar planin operativ në përputhje me Ligjin antiCOVID. Ajo tha se nga 1 deri më 18 janar janë shqiptuar 144 gjoba, prej tyre 134 për mos mbajtje të maskës, dy për mos respektimin e masës së vetizolimit dhe 8 të tjera për mos respektim të kufizimit të lëvizjes.
Shtabi emergjent edhe me këtë rast iu bën thirrje qytetarëve të respektojnë masat antiCOVID, pasi gjendja është duke u rënduar, pasi vetëm duke respektuar masat mbrojtës mund të fitohet beteja me pandeminë.
Në nivel të vendit, Komuna e Podujevës deri tani është me 3.4 % e prekur nga totali i rasteve me COVID-19, dhe rrjedhimisht edhe numri i rasteve që kanë humbur jetën, gjithashtu në nivel vendi është më i vogël, me 2.8 % nga totali i vdekjeve.
Ndryshe, koha e lejuar për operim të kafiterive-gastronomisë në Podujevë mbetet deri në orën 21:00, ndërsa për lëvizje të qytetarëve deri në 21:30./Insajderi.com