Një vajzë e mitur, dyshohet se ishte e moshës shtatë vjeçare, ka vdekur sot në Prishtinë, njofton Insajderi.
Siç bëhet e ditur, viktima kishte shkuar në njërën nga ordinancat private për të bërë një fotografim të kokës, ndërsa ka ndërruar jetë nga mbi doza e anestezionit.
“Vajzën është dërguar në një ordinancë private në lagjen Ulpiana për të bërë rezonancë magnetike. Ajo ka vdekur si pasojë e mbi dozës së anestezionit. I kanë dhënë fillimisht por gjatë kohës sa ka qenë duke e bërë rezonancën ajo është zgjuar dhe pastaj i kanë mbi dozë”, ka thënë xhaxhai i të ndjerës për KK, emri i të cilit nuk është bërë publik.
Vdekjen e të miturës për Insajderin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka thënë se rasti po cilësohet si “Vdekje e dyshimtë”.
Ahmeti tutje tha se janë duke punuar që të zbardhet rrethanat e vdekjes.
“Sot në stacionin policor jugu në Prishtinë është hapur një rast Vdekje e dyshimtë. Viktimë në këtë rast është një femër (e mitur). Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë përkatëse janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin, ndërkohë që me urdhër të prokurorit trupi i viktimës është dërguar për obduksion”, ka thënë Ahmeti. /Insajderi.com/