Shtatë vjet pas – Detajet nga aksioni në veri ku u vra Enver Zymberi

Në shtatë vjetorin e vrasjes së policit të Njësisë Speciale të Kosovës, Enver Zymberi, Gazeta Insajderi sjellë detajet e aksionit të 26 korrikut.

Shtatë vjet pas – Detajet nga aksioni në veri ku u vra Enver Zymberi

Para shtatë viteve atëherë kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi kishte urdhëruar një aksion të Njësisë Speciale të Kosovës për të marrë nën kontrollë të dy pikave kufitare në veri të Mitrovicës.

Pikërisht me 26 korrik 2011 rreth orës 13: 30 më shumë se 50 policë të Njësisë Speciale Operative ROSU të cilët po qëndronin në bazën e tyre në Shipol të Mitrovicës u nisën në drejtim të portës 31.

Gazeta Insajderi sjell detajet e aksionit sipas përshkrimit të aktakuzës së ngritur nga prokurororët Shyqyri Syla dhe Pascal Persoons, kundër disa serbëve për vrasjen e Enver Zymberit në afërsi të fshatit Cabër.

Pas marrjes së urdhrit konvoji i makinave të Policisë së Kosovë ishte nisur në drejtim të pikës kufitare në përbërje të dy makinave të blinduara – njëra ishte në krye, tjetra në fund të konvojit, dhe 10 deri në 12 makina të Policisë së Kosovës ishin ndërmjet tyre, shkruan Insajderi.

Derisa po udhëtonin nëpër rrugën e asfaltuar, në rrethinën e fshatit Çabër konvoji i Policisë së Kosovës kishte hasur në barrikadën e parë të krijuar me gurë dhe rërë. Si pasojë, konvoji kishte shmangur rrugën kryesore dhe kishte kaluar në rrugë dytësore.

Duke vazhduar rreth dhjetë minuta, në zonën ndërmjet fshatit të Varage dhe atij të Zupçit, konvoji i Policisë së Kosovës kishte hasur në një pengesë të dytë: kësaj here barrikada përbëhej prej pesë makinave të vendosura midis rrugës.

Pasagjerët dhe shoferët e pesë makinave kishin dalë prej tyre dhe kishin nisur të konfrontoheshin me Policinë e Kosovës, duke bërtitur dhe duke bërë gjeste kundër tyre.

Sipas deklaratave të dhënë prej dëshmitarëve, tetë deri në dhjetë persona kishin dalë prej makinave dhe kishin nisur të përlaheshin me oficerët e Policisë.

“Disa prej oficerëve të PK-së dolën prej makinave dhe u thanë personave që ishin jashtë makinave dhe atyre që ishin brenda që të ktheheshin në makina dhe të lëviznin me qëllim që ta lironin rrugën. Në një moment oficerët e Policisë së Kosovës i urdhërojnë personat të futën në makina dhe ta lirojnë rrugën”, thuhet në aktakuzë.

“Me arritjen e makinës së blinduar në vendin ku ishte rruga e bllokuar, 8-10 persona të cilët po qëndronin prapa barrikadës u larguan dhe u futën malit në anën e majtë. Në momentin kur personi i parë u largua nga barrikada, u dëgjua e shtëna e parë, dhe oficerët e Policisë së Kosovës të përfshirë në operacion menjëherë u informuan se njëri prej tyre ishte plagosur rëndë. Të shtënat pasuese kanë ardhur nga anën e majtë e ROSU-së”, shkruan më tej në aktakuzë.

Prokuroria përcaktoi se një plumb kishte qëlluar në fytyrë oficerin Enver Zymberi, anëtar i ROSU-së i cili po e voziste makinën e dytë të konvojit të Policisë së Kosovës. Në momentin kur ishte qëlluar, makina e tij kishte pozicion paralel me makinën e blinduar që po i printe konvojit. Pas të shtënës së parë që e kishte qëlluar Enver Zymberin, të shtëna rafal pasuan në drejtim të makinave të Policisë së Kosovës. Ato kishin ardhur nga tri drejtime të ndryshme që kishin zgjatur rreth 20 minuta.

“Oficerët e Policisë ua kthyen zjarrin në vetëmbrojtje dhe për të marrë trupin e policit të plagosur, është dërguar në makinën e blinduar. Të shtënat kundër konvojit të Policisë së Kosovës vazhduan derisa konvoji u kthye në drejtimin e kundër”, shkruan në aktakuzë.

Dëshmitari i mbrojtur ka dëshmuar më 27 korrik 2011, për planin operacional që kishte nisur nga ora 6 e mëngjesit, pengesat rrugës, përleshjen për 20 minuta me strukturat kriminale dhe vrasjen e Enver Zyberit.

Ai i kishte identifikuar personat ndaj të cilëve pastaj u ngrit aktakuza.

“Unë i kam identifikuar katër persona, ata janë: Rade Kasaleviq, ish-konduktor në Kosova Trans, i cili është nga fshati Zupq. Ishte një djalosh i njohur si Ane, pronar i pompës së gazit në Zupq. Anash rrugës që çon në drejtim të Zubim Potokut, një djalosh me mbiemrin Radiq ose Rakiq nga fshati Zupç, i biri i Tihomirit, (Tika) i cili e kalon kohën në ‘Tim Petrol’, ka një makinë të kuqe ‘Skoda’ dhe i biri i Gjonkos Ljuba (Sloba), na e bllokuan rrugën”, kishte thënë dëshmitari.

Ndjekja penale ndaj Radovan Radiq dhe Millovan Vllaskoviq, dy nga katër të dyshuarit për vrasjen e Enver Zymberit pushori, pasi në prill të vitit 2015 gjykatësit e EULEX-it i shpallën të pafajshëm.

Të akuzuar lidhur me vrasjen e Enver Zymberit në një gjykim tjetër janë edhe Sllobodan Sovrlliq dhe Radomir Kasalloviq.

Dy persona tjerë po për këtë vrasje janë duke u kërkuar me fletarrest ndërkombëtar, pasi ende ndodhen në arrati. / Insajderi.com