Shtegu i biçikletave kthehet në “vendparking të veturave” vetëm tri ditë pas përurimit

Shtegu i biçikletave kthehet në “vendparking të veturave” vetëm tri ditë pas përurimit

Vetëm tri ditë pas përfundimit të ndërtimit të shtegut të biçikletave në lagjen “Dardania” të kryeqytetit, ky shteg po shfrytëzohet si vendparking nga qytetarët, njofton Insajderi.

Faqja “Vrojtuesit e lagjes”, me anë të një fotografie të publikuar në profilin e tyre, kanë njoftuar se në rrugën ‘iliaz Kodra’ në Dardani, ku më 3 shtator u finalizua shtegu i ri i biçikletave, sot po përdoret si vend për t’i parkuar veturat.

“Shtegu i ri i bicikletave”, është mbishkrimi i shkurtër i fotografisë ku shihen disa vetura të radhitura në këtë shteg.

Shtegu i ri i bicikletave.

Posted by Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë on Sunday, September 6, 2020

 

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti para tre ditëve kishte publikuar një video në ‘Facebook’ ku ka njoftuar se ka përfunduar ndërtimi i shtegut të biçikletave në lagjen ‘Dardania’ të Prishtinës.

Ahmeti ka thënë se shtigje të tilla do të ndërtohen edhe në pjesë të tjera të qytetit.

“Gjindemi në rrugën ‘Iliaz Kodra’ në Dardani ku sot po e finalizojmë shtegun e biçikletave, të cilat do t’i bëjmë në gjithë qytetin, në rrjetin primar të biçikletave dhe sot kemi kënaqësinë që të shohim se si duket në realitet, këtë që e kemi diskutuar që sa kohë”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka bërë të ditur se krahas shtegut të biçikletave janë vendosur edhe pengesa prej betoni, që të pengojnë veturat të vozisin në pjesën e dedikuar për biçikleta, por që në këtë pjesë të rrugës pengesa të tilla nuk shihen të jenë vendosur. /Insajderi.com