Shtëpia e Bardhë braktiset edhe nga këshilltari i antiterrorizmit

Shtëpia e Bardhë braktiset edhe nga këshilltari i antiterrorizmit

Sebastian Gorka, këshilltar i Presidentit amerikan, Donald Trump, për luftën kundër terrorizmit, është larguar nga funksioni i tij në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas bën të ditur shtypi amerikan, Sebastian Gorka është emri i fundit që i ka dhënë lamtumirën administratës Trump.

Disa burime kanë pretenduar se Gorka ka dhënë dorëheqjen, ndërsa një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë nën mbrojtjen e anonimatit ka konfirmuar se këshilltari i Trump për antiterrorizmin nuk punën më në Shtëpinë e Bardhë, por duke shtuar se “Gorka nuk ka dhënë dorëheqjen”. Kjo bëri që largimi i tij nga funksioni të komentohet si shkarkim.

Largimi apo shkarkimi i Gorka nga detyra ishte një zhvillim që pritej, pasi Presidenti Trump largoi nga Shtëpia e Bardhë javën e kaluar edhe me kryekëshilltarin Steve Bannon.

Përpara funksioneve të tyre në qeverinë e Trump, këshilltarët Gorka dhe Bannon, që mbrojnë pikëpamje të ngjashme në fushën e sigurisë kombëtare dhe atë të luftës kundër terrorizmit, punonin së bashku në portalin “Breitbart News”, një platformë në mbështetje të ekstremit të djathtë amerikan.

Thuhet se një rol kyç në largimin e Gorka nga Shtëpia e Bardhë ka John Kelly, që javën e kaluar filloi zyrtarisht detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Shtëpisë së Bardhë. Krahas Gorka dhe Bannon, emra të tjerë që janë larguar, shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen që pas ardhjes së tij në detyrë janë gjithashtu shefi i stafit, Rience Priebus, zëdhënësi Sean Spicer dhe drejtori i komunikimit, Anthony Scaramucci.