Shtëpia e Bardhë: Ende nuk është vendosur nëse Trump do të jetë pjesë e takimit ne mes Kosovës dhe Serbisë

Shtëpia e Bardhë: Ende nuk është vendosur nëse Trump do të jetë pjesë e takimit ne mes Kosovës dhe Serbisë

Ende nuk është vendosur nëse presidenti amerikan, Donald Trump, do të marrë pjesë në takimin e 4 shtatorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të zhvillohet në Uashington.

Zyra për Informim e Shtëpisë së Bardhë, i ka dërguar Gazetës Online Insajderi.com, diskutimet e plota të konferencës virtuale të Richard Grenellit me gazetarë, e cila vjen vetëm dy ditë para takimit të Uashington.

I dërguari special në këtë konferencë virtuale me gazetarë, ku adresohet si ‘Këshillar Special i Trump-it’, ka thënë se presidenti amerikan vazhdimisht ka qenë i implikuar në diskutimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe si rezultat i kësaj janë arritur tri marrëveshje të rëndësishme në mes dy vendeve.

Ai mes tjerash ka thënë se qëllimi i insistimit amerikan për të diskutuar rreth çështjeve ekonomike është që të krijohen vende të reja pune dhe të arrihet më shumë zhvillim ekonomik në Kosovë dhe Serbi.

“Se a do të marrë pjesë presidenti Trump në këto takime të së enjtes dhe të së premtes fizikisht, mendoj se kjo ende ka mbetur për t’u vendosur. Ai (Trump) ka qenë pjesë e këtyre diskutimeve. Kam biseduar me të rregullisht rreth kësaj çështje. Kur të fillojmë takimet tona do të shikojmë të shtyjmë përpara tri marrëveshjet që i kemi arritur dhe të shtojmë një grumbull çështjesh të tjera që do të krijojnë biznes, që do të krijojnë zhvillim ekonomik dhe vende punë”, ka Richard Grenell, që në konferencë me gazetarë është prezantuar si “këshilltar special i presidentit Trump”.

Grenell, po ashtu tha se në momentin kur ka marrë detyrën si i dërguar special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka vizituar këto dy vende dhe ka takuar komunitetin e biznesit.

“Kur fillimisht jam përfshirë gjëja e parë që kam bërë është; kam shkuar në Prishtinë dhe në Beograd; Zbrita nga aeroplani në të dyja vendet dhe shkova direkt tek komunitet e biznesit. Nuk doja të shkoja direkt tek komuniteti politik, sepse mendoj se ata kanë dështuar. Kanë dështuar të lëvizin përpara”, vazhdoi ai.

Emisari i Trump-it, ripërsëriti edhe njëherë atë që e kishte thënë muaj më parë se, “nuk ka plan sekret për marrëveshje finale”.

“Përkundër asaj çfarë është thënë në media për më shumë se një vit, SHBA-ja nuk ka plan sekret”, tha njeriut i afërt me Trump-in.

Ai deklaroi se nëse Kosova dhe Sebria dëshirojnë dollarët amerikanë, atëherë duhet të arrijnë progres ekonomik.

“E vetmja gjë që do të kërkojmë është; nëse dëshironi ndihmën e SHBA-së, nëse dëshironi dollarët për zhvillim nga SHBA-ja, atëherë duhet progres në frontin ekonomik. Nuk duam t’i humbim paratë tona, prandaj nuk duam të bëjmë të njëjtat gjëra që nuk kanë funksionuar më parë. Nuk është e drejtë as ndaj taksapaguesve amerikanë”, theksoi Grenell i referuar si këshilltar Special.

Delegacioni i Kosovës ka arritur në Uashington dhe në krye të tij është kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, njofton Insajderi.

Takimi i 4 shtatorit është thirrur pas anulimit të takimit të planifikuar për 27 qershor, pasi vetëm katër ditë para asaj ngjarjeje, Gjykata Speciale kishte publikuar një propozim-aktakzuë, për presidentin, Hashim Thaçi, i cili do të udhëtonte për në Uashington dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin.

Takimi në  Uashington vlerësohet të jetë shumë i rëndësishëm në fuqizimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë. /Insajderi.com