Shtëpia e të Moshuarve në Prishtinë, ka hapësira për të pranuar edhe 35 persona të tjerë që i plotësojnë kriteret e vendosura për pranim në këtë institucion, transmeton Insajderi.
Kështu bëri të ditur drejtoresha e Shtëpisë së Personave të Moshuar në Prishtinë, Raze Aliçkaj, e cila tha se kushtet në këtë objekt janë të mira.
“Po kemi mundësi, sepse ka hapësira me shtretër llogaritet diku 100 rezidentë, e për momentin janë 65 kështu që kemi hapësira dhe ata që i plotësojnë kriteret edhe vendosen. Gjitha këto procedura shkojnë përmes departamentit për politika sociale, familjare, komisioni që verifikon lëndën e kërkuesit që do të vendoset dhe ka nevojë”, tha ajo për EO, duke shtuar se nuk kanë raste aktive me COVID-19.
“Jo nuk kemi raste aktive për momentin dhe për atë jemi shumë të lumtur, ku sot kemi bërë edhe dezinfektimin në të gjitha hapësirat e institucionit dhe ndoshta është edhe ana psikologjike e punës së higjienës”, tha ajo.
Nga ana tjetër, psikologjia Remzije Fazliu, në një intervistë për EO, thotë se ka punuar maksimalisht t’i ndihmojë këta të moshuar ta tejkalojnë frikën nga Coronavirusi.
“E vërtetë është se ka qenë pak e vështirë fillimi sidomos kur është bërë izolimi i tyre pasi ne e kemi bërë më herët izolimin, kjo ka qenë pak e vështirë deri sa këta janë bindur se çka saktësisht po ndodh dhe me u njoftua me gjendjen e pandemisë. Gradualisht duke ju sqaruar dhe duke bërë këshillime psikologjike, kanë filluar edhe këta ta shohin dhe gjithçka ka shkuar në rregull, edhe pse gjithë kemi pasur frikë por jemi munduar që tek këta mos ta shfaqim, pasi dihet që mosha e tretë ka qenë pak më e rrezikuar”, ka thënë psikologjia Fazliu.
“Tash të them drejtën, pandemia i ka penalizuar shumë, sepse nuk kanë mundur të dalin, të shëtisin nëpër vende ku si qendër i kemi dërguar, ka ndikuar shumë kjo tek ta, mirëpo tash që kemi një stabilizim të gjendjes edhe emocionet e tyre janë më në nivel. Edhe tash që kanë dëgjuar për ardhjen e vaksinave mezi po presin me i marrë dhe më kanë pyetur edhe mua për vaksinën”, deklaroi ajo. /Insajderi.com