Shtetasi italian thotë se u mashtrua për aksionet e Bankës Ekonomike dhe se kërkoi ndihmë nga Pacolli

Shtetasi italian thotë se u mashtrua për aksionet e Bankës Ekonomike dhe se kërkoi ndihmë nga Pacolli

Shtetasi italian, Savio Tesoro, ka deklaruar se për blerjen e aksioneve të Bankës Ekonomike, kishte paguar shumën prej 3.2 milionë eurosh, në vitin 2011.

Por, sipas tij, këto të holla por edhe aksionet, asnjëherë nuk i kishte marr.

Këtë deklaratë, Tesoro, tash në cilësinë e palës së dëmtuar, e ka bërë në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për korrupsion që po zhvillohet ndaj dy ish-zyrtarëve të Bankës Ekonomike, Valon Lluka dhe Raif Rexhepi.

Lluka e Rexhepi, akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, pikërisht lidhur me çështjen e shitjes së këtyre aksioneve, që shtetasi italian, pretendon të jetë dëmtuar 3.2 milionë euro.

Në seancën e së premtes, i dëmtuari Tesoro, ka deklaruar se pasi që kishte lidhur kontratën për blerjen e këtyre aksioneve, ai kishte kuptuar se është mashtruar.

Për të gjetur një zgjidhje lidhur me këtë rast, ai ka thënë se është takuar edhe me Behgjet Pacollin, pasi që Banka Ekonomike, është në mesin e bizneseve që menaxhon ai dhe familja e tij.

Me Pacollin, deklaroi se ka biseduar pasi e ka njohur në Zvicër dhe e ka ditur se është nga Kosova dhe se është person i rëndësishëm, prandaj edhe , siç ka thënë, i ka kërkuar ndihmë sepse ka menduar se ai mundet të bëjë diçka lidhur me këtë çështje.

“I kam treguar Behgjetit që i kam dhënë të hollat dhe aksionet nuk më janë dhënë. Jam takuar me të në Prishtinë. Më ka premtuar se do të interesohet. Kam kuptuar që është interesuar sepse e ka telefonuar drejtorin e bankës dhe ai ka qenë rasti kur e kam takuar dhe njoftuar drejtorin e bankës. I kemi shpjeguar ngjarjen dhe më ka thënë se do të bëjmë çka do që është e nevojshme për ta rregulluar situatën, Edhe Raifin e ka thirr në telefon, Raifi ma ka konfirmuar se Behgjet Pacolli e ka kontaktuar”, ka thënë Tesoro.

Gjatë seancës, dëshmitari deklaroi se me Raif Rexhepin është takuar nëpërmjet personit, Aziz Tafaj.

Me të, sipas tij, është takuar pesë herë, njëherë në hotelin “Gorenje”, pastaj në një lokal, një në  restorant dhe në bankë.

Sipas Tosoros, arsyet pse janë takuar me Raif Rexhepin, kanë qenë fakti se u kishte premtuar se dëshiron t’i shes disa aksione të Bankës Ekonomike. Fillimisht, shuma e aksioneve që dëshmitari tha se është dashur të jetë ka qenë 20%, me premtimin se do të arrinte deri në 51%.

Ai ka thënë se për shkak se kanë qenë një varg kontratash që kanë nënshkruar nuk i kujtohet numri i tyre, por sipas tij, vlera monetare e aksioneve kontraktuale, ka qenë 3.2 milionë euro.

Dëshmitari është përgjigjur edhe në pyetjet për marrëveshjen që është lidhur për realizimin e kontratës.

“Që unë duhet t’i dërgoj 3.2 milionë euro, ai është dashur t’i delegojë menjëherë aksionet e tij që kanë qenë diku në vlerë të 20%, dhe pastaj dalëngadalë edhe 10% të miqve të tij. Aksionet nuk janë bartur, edhe pse gjithmonë i ka premtuar”, është përgjigjur Tesoro.

Mjetet monetare për pagesën e aksioneve, dëshmitari tha se aq sa i kujtohet i ka dërguar në Bankën Ekonomike te përfaqësuesi Aziz Tafaj.

Ai është pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Raif Rexhepit, nëse e ka shënuar destinimin dhe arsyen se pse e ka bërë pagesën. “Jo, unë e kam bërë transferin për t’i blerë aksionet, tash nuk më kujtohet çka kemi shkruar, por dokumenti ekziston sepse ato të holla kanë shërbyer vetëm për t’i blerë aksionet”, është përgjigjur Tesoro.

Ndërsa, kur është pyetur se pse i kërkon aksionet nga Raif Rexhepi, dëshmitari u përgjigj duke thënë se për shkak se të hollat i kanë shkuar Raif Rexhepit dhe ka dokumente të nënshkruara nga Raif Rexhepi që ai i ka marr këto të holla, dhe se këto dokumente, sipas tij, i ka Aziz Tafaj për shkak se ai i ka transferuar të hollat në llogari të Rexhepit. Për Tafaj, dëshmitari tha se i njëjti ka pasur autorizim gojor nga ai, ndërsa a ka qenë i shkruar autorizimi, tha se nuk i kujtohet.

“Azizi ka qenë ndërmjetësuesi mes meje dhe Raifit, duke i kërkuar Azizit nënkupton se i kam kërkuar edhe Raifit. Në takimet që kam pasur me Raifin në prani të Azizit. Raifi konfirmonte që ai duhet të mi delegoj aksionet, më kërkonte pak kohë, njëherë ka thënë se nuk është ndier mirë ka qenë në spital, dhe vazhdimisht më kërkonte kohë.”, deklaroi  Tosoros.

“Unë në fakt nuk i kam dërguar të gjitha të hollat përnjëherë, mirëpo i kam ndarë në disa shuma, në ndërkohë në mes të pagesës së parë dhe të dytës, unë e kam verifikuar duke e takuar Rexhepin në bankë si zëvendësdrejtor, e kam verifiku se i ka aksionet, ai i njëjti ka deklaru se ka nënshkru se ka me mi dhënë aksionet dhe unë e kam bërë pagesën për t’i marr aksionet”, tha tutje ai.

Duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuari Raif Rexhepit, dëshmitari deklaroi se nuk i  kujtohet pas darkës në Durrës se ku kanë shkuar me veturën e Rexhepit. Ndërsa, sa i përket takimit në “Gorenje”, dëshmitari tha se ka qenë takimi i tyre i fundit, mirëpo nuk ka qenë  hera e parë që në atë takim kanë biseduar rreth aksioneve në Bankën Ekonomike.

I pyetur nëse është e vërtetë se Behgjet Pacolli ua ka caktuar takimin në “Gorenje”, dëshmitari deklaroi se nuk e di nëse ai e ka caktuar këtë takim.

“Ne nuk kemi pasur takim të caktuar në “Gorenje”. Ai nuk e di se si e ka ditur që jam aty, por ka ardh dhe më ka takuar aty. Ka mundësi që Pacolli i ka thënë që jam aty, por askush nuk më ka caktuar”, ka shtuar Tesoro.

Raif Rexhepi, i ka thënë dëshmitarit gjatë seancës se nëse vërtetohet se vetëm pesë cent ia ka dhënë, atëherë ai i ka borxh ato.

Sa i përket Valon Llukës, dëshmitari tha se janë takuar njëherë në një lokal dhe njëherë në bankë.

Arsyeja e takimit, dëshmitari tha se ka qenë për ta shpjeguar situatën rreth aksioneve që Rexhepi është dashur, sipas tij, t’ia jep.

Mbrojtësi i të akuzuarit Lluka, Isa Salihi, e ka pyetur më tej se pse janë takuar. “Për të biseduar për problemin mbi vështirësinë e kalimit të këtyre aksioneve nga Raifi te unë, dhe ai më ka thënë se do të mbikëqyr dhe do të bëj gjithçka që është e nevojshme për të bërë kalimin e aksioneve”, është përgjigjur Tesoro.

Valon Lluka, ka pyetur dëshmitarin nëse i kujtohet se i ka thënë që duhet ta sjell kontratën origjinale, dëshmitë e pagesave dhe kërkesën për regjistrim të aksioneve, ndërsa dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet një gjë e tillë.

Kurse, kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hori, e ka pyetur Tesoron rreth mënyrës së pagesave që janë bërë në këtë rast.

“Unë i kam dërgu të hollat nëpërmjet bankës në Kosovë te Aziz Tafaj, edhe ai i ka paguar 2 milionë e 400 mijë nëpërmjet bankës dhe në formën “cash” nuk më kujtohet sa kanë qenë. Në formën “cash” i ka tërheq nga banka dhe ia ka dhënë Raifit me kërkesë të Raifit”, është përgjigjur Tesoro.

Gjykatësi Hoti i ka thënë dëshmitarit se në shkresa të lëndës është pagesa mes Tafaj dhe Rexhepit, që ka të bëj me patundshmëri. Dëshmitari, tha se i kujtohet dhe kur ka pyetur se për patundshmëri, Rexhepi i ka thënë se nuk ka dashur në bankë të dihet se ai është duke i shitur aksionet.

I pyetur se si mund ta bind trupin gjykues se pagesa ka të bëj me aksione, dëshmitari tha “Unë ka mundësi që nuk arrij ta bind gjykatësin edhe me siguri jam treguar i padjallëzur dhe jo i mençur në këtë rast. Por, jam person i ndershëm. Prova e vërtetë, është që unë kam dhënë të holla dhe nuk kam as aksione, e as të hollat. Unë mund të them vetëm se si ka ndodhur realisht ngjarja”, ka thënë në fund ai.

Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet më 14 maj, me fillim nga ora 10:00.

Në seancën e mbajtur më 19 mars të këtij viti, personi i përmendur nga Tesoro, Aziz Tafaj, kishte dhënë dëshminë e tij në këtë rast,

Ai kishte deklaruar se rreth blerjes së disa aksioneve të Bankës Ekonomike, një takim në mes palëve e kishte organizuar Behgjet Pacolli.

Dëshmitari kishte deklaruar se ai ishte negociues i një marrëveshje që sipas tij, nuk është realizuar në mes investitorit italian Savino Tesero dhe Raif Rexhepit, për blerjen e aksioneve të Bankës Ekonomike.

Sipas dëshmitarit, me sugjerimin e Pacollit, ishte organizuar takimi për aksionet e Bankës Ekonomike, që ishte mbajtur në Sllatinë të Fushë Kosovës, në mes shtetasit italian dhe drejtorit të atëhershëm të bankës, Valon Lluka.

Sipas dëshmitarit, i akuzuari Raif Rexhepi dhe Tesoro ishin marrë vesh për një shitblerje të 51% të aksioneve të Bankës Ekonomike, në fillim të një vlere rreth 3.000.000 euro, por që Rexhepi nuk e kishte përmbushur obligimin e tij kontraktual. Tafaj ndër të tjerash kishte thënë se Tosoro për të përmbushur detyrimin e tij ka bërë transaksione në llogarinë e Rexhepit, përmes të autorizuarve të tij, në mesin e të cilëve ishte edhe ai.

Ndryshe, sipas Prokurorisë, i akuzuari Lluka, në vitin 2011, ka marr pjesë në takimin negociues mes të akuzuarit tjetër, Raif Rexhepi dhe të dëmtuarit Savio Tesoros, shtetas italian, për regjistrimin e aksioneve të blera nga TEXO S.R.L, e përfaqësuar nga Savio Tesoro. Prokuroria, pretendon se i akuzuari Lluka, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe shkaktimit të dëmit pasuror, Savio Tesoros, ka shpërdorur pozitën zyrtare.

Po ashtu, sipas aktakuzës, më 24 nëntor 2011, i akuzuari Valon Lluka, ka lejuar realizimin e shitjes së 6.41% të aksioneve të Bankës Ekonomike, e cila ishte bërë përmes kontratës së dyfishtë mes të akuzuarit, Rexhepi dhe blerësit, Afrim Pacolli.

Gjithashtu, prokuroria akuzon Llukën se gjatë vitit 2010, nuk ka nxjerr vendim për anulim të vërtetimit të rremë, me ç’ rast ka dëmtuar materialisht shtetasin italian, Savio Tesoron./betimi për drejtësi.

Ndërkaq, prokuroria pretendon se i akuzuari Rexhepi nga viti 2007 deri në 2011, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, dhe duke i shkaktuar dëm pasuror Savio Tesoros ka bërë gjoja blerjen e 20% të aksioneve të Bankës Ekonomike, vlera e të cilave arrinte shumën prej 2.400.000 eurove, por nuk i kishte bartur në emër të  Tesoros. Ndërkohë, gjatë vitit 2010-2011, këto aksione i kishte shitur te disa aksionarë tjerë, ndërsa paratë e tyre i kishte mbajtur për vete.