Tri javët në vijim janë përcaktuese nëse Kosova do të mundë të hyjë këtë vit në agjendën e Këshillit të Ministrave për liberalizimin e vizave.
Ndërkohë që deri tani mbi 10 shtete të Bashkimit Evropian po hezitojnë ta mbështesin heqjen e regjimit të vizave për kosovarët. Këtu përfshihen shtete të rëndësishme si Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, Austria, vendet skandinave, si dhe vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Në pjesën e parë të dhjetorit është takimi i fundit i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për këtë vit. Ndërkohë, kryeministri Ramush Haradinaj ditë më parë ka thënë se shpreson që liberalizimi i vizave për Kosovën do të arrijë të hyjë në agjendë sivjet. Në anën tjetër, njohësi i proceseve integruese thotë se janë mbi 10 shtete që ende kanë hezitime nëse duhet të hiqen vizat për kosovarët ose jo. Madje në mesin e këtyre shteteve, sipas analistëve, janë edhe vende me fuqi të madhe brenda BE-së, si Gjermania, Franca, Austria, Belgjika, Holanda, vendet skandinave dhe shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në krye me Spanjën. Vlerësohet se gjasat që Kosova këtë vit të marrë liberalizimin e vizave janë minimale, shkruan Gazeta Zëri.
Ndërkohë, diskutimet mes tri organeve të BE-së, Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit të BE-së, po vazhdojnë dhe pas përfundimit të këtyre diskutimeve dhe votimit në Grupin Punues për Viza (COWEB), nëse ka pëlqim propozimi kalon në nivelin e COREPER-it, ku ulen ambasadorët e Shteteve Anëtare të BE-së për të diskutuar për këtë çështje dhe tek në fund çështja kalon në Këshillin e Ministrave për votim.